Botë

Kabul, shpërthim pranë ambasadave, mbi 80 të vdekur

31.05.2017 12:16

Të paktën 80 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur nga shpërthimi në Kabul të Afganistanit...

Shpërthimi goditi zonën Wazir Akbar Khan, ku janë të vendosura misionet e huaja diplomatike dhe zyra qeveritare, duke shkatërruar automjete e duke dëmtuar ndërtesat përreth.

Sipas njoftimeve të para besohet se lënda plasëse ishte fshehur në një kamion cisternë.

Nuk është e qartë se cila ka qenë saktësisht shënjestra e sulmit, por një zyrtar afgan i sigurisë tha se ai ndodhi jo shumë larg Ambasadës së Gjermanisë dhe ndërtesës së kompanisë më të madhe të telefonisë celulare në vend.

Korrespondentët në vendngjarje flasin për skena kaotike, me shumë të plagosur dhe njerëz që dërgohen në spital.

Zona e shpërthimit është rrethuar me shpejtësi nga forca të shumta policore.

Episodi i dhunës vjen në një periudhë të shtimit të sulmeve të talebanëve mbi forcat afgane, ndërsa besnikët e grupit xhihadist të “Shtetit Islamik” kryen disa sulme gjatë muajve të fundit.

Në fillim të majit, 8 civilë humbën jetën nga sulmi kamikaz ndaj një autokolone të NATO-s, në kohën kur ajo po kalonte pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Incidentin atëherë e mori përsipër ISIS, por deri tani nuk dihet se mbi kë rëndon përgjegjësia për ngjarjen e fundit.

BELINDA KOKA-ADEMI