Maqedoni
Fëmijët lypës, Memeti: askush nuk e di sa janë
31.05.2017 15:16
Avokati i populli, Ixhet Memeti, thotë se ka një numër të madh fëmijësh që lypin rrugëve të vendit...

Avokati i populli, Ixhet Memeti, thotë se ka një numër të madh fëmijësh që lypin rrugëve të vendit, madje edhe foshnje që shfrytëzohen nga familjarët e tyre për të përfituar lëmoshë.
Memeti thotë se nuk dihet saktë se sa janë këta fëmijë lypës dhe paralajmëron hapjen e procedurës për të përcaktuar këtë shifër. Ai tha se shteti ka mekanizma, mund dhe duhet të kujdeset për këta persona.
“Shteti nuk ka vullnet që të kujdeset për këtë problem që është i ndjeshëm, pasi që nëse nuk je i evidentuar nuk mund t’i gëzosh të drejtat elementare, duke filluar kështu nga të drejtat e shëndetësisë dhe arsimit etj. Prandaj ne do të hapim procedurë me kapacitetet që kemi dhe do të bëjmë një hulumtim të gjerë me qëllim që t’u ndihmojmë qytetarëve dhe shtetit, nuk është mirë të kesh qytetarë të pa evidentuar”,- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Përveç problemit me fëmijët lypsarë, Memeti njoftoi se më shumë se 1000 persona të përkatësisë rome vetëm në qytetin e Shkupit janë të paevidentuar dhe kështu u mohohen të gjitha të drejtat për ekzistencë.
Me statusin e tillë nuk mungojnë edhe shqiptarët, por në numër të vogël.
Këto komente Memeti i bëri me rastin e prezantimit të hulumtimit për refugjatët e Kosovës të cilët po qëndrojnë në Maqedoni.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
