Maqedoni

Testimi ekstern, Deskovska: shfuqizohet, në rend dite të enjten

31.05.2017 16:53

Kandidatja për ministre të Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskovska, premtoi sot se shumica e re parlamentare do të bëjë çmos...

Kandidatja për ministre të Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskovska, premtoi sot se shumica e re parlamentare do të bëjë çmos që pika për shfuqizimin e testimit ekstern të vihet në rend dite në seancë nesër.
 
Deskovska deklaroi se përveç testimit ekstern do të bëhet përpjekje që nesër Kuvendi të diskutojë edhe për Kodin Zgjedhor, pra zgjidhjen e bllokimit të institucioneve lokale dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
 
“Dua  t’i informoj nxënësit dhe prindërit e tyre se këtë vit nuk do të ketë testim ekstern. Ne do të bëjmë gjithçka që ligji të sillet, do të punohet nëse duhet gjithë ditën. Edhe gjatë fundjavës ka qenë traditë që Kuvendi të punojë, ashtu që do të bëhen të gjitha përpjekjet që ligji të sillet. Në qoftë se nuk sillet, por unë nuk besoj se mund të ndodh një gjë e tillë,  atëherë ka alternativa tjera se si të zgjidhet problemi. Por, unë apeloj deri te të gjithë deputetët që votojnë, të jenë konstruktivë, pasi heqja e testimit ekstern është në interes të nxënësve. E pamë që ishte një projekt i dëmshëm që nuk dha asnjë rezultat dhe mendoj që është kundërproduktive për këdo që mundohet të obstruojë sjelljen e ligjit të tillë në Kuvend”,- deklaroi Renata Deskovska nga LSDM.
 
BELINDA KOKA - ADEMI