Maqedoni

Popovski mban presin e fundit: treguam se nuk ju nënshtrohemi sfidave

31.05.2017 17:10

Ministri i Jashtëm në largim, Nikolla Popovski, mbajti pres konferencën e fundit në të cilën justifikoi mungesën...

Ministri i Jashtëm në largim, Nikolla Popovski, mbajti pres konferencën e fundit në të cilën justifikoi mungesën e sukseseve në sferën euroatlantike.
 
Popovski tha se MPJ ka pasur qëllim kryesor integrimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Europian dhe është bërë mjaft përparim në këtë drejtim. 
 
“Vlerësimi im është që Maqedonia ka përparuar gjatë periudhës së kaluar dhe në qoftë se i krahasojmë situatat të cilat i kemi pasur në të kaluarën, mendoj se nga aspekti administrativ kemi kapacitete shumë më të mëdha nga aspekti i hapave të cilat i kemi marrë gjatë periudhës së kaluar, nën kushte shumë të vështira kemi vërtetuar se jemi shtet shumë i fortë, i cili nuk u nënshtrohet lehtë sfidave të cilat kanë qenë më të vështira se sa sfidat me të cilat janë ballafaquar fqinjët tanë”,- deklaroi ministri në largim i Punëve Të Jashtme, Nikolla Popovski.
 
Sipas tij, BE duhet të ndryshojë marrëdhënien me vendet kandidate dhe të japë kornizë kohore me të cilën do të përcaktohet se kur vendi do të jetë i pranuar në BE.
 
Në lidhje me kontestin për emrin me Greqinë, Popovski theksoi se është bërë përparim i madh.
 
Por, sipas tij, nuk duhet të veprohen në dëm të interesave kombëtare. Ai thotë se nga pozita që është nuk mund të parashikojë se si do të jetë epilogu i gjithë kësaj. 
 
“Për mua është relevante ajo që nuk guxon të bëhet asgjë në dëm të interesave kombëtare të RM-së dhe mendoj se secili mban një përgjegjësi të tillë. Sa i përket çështjes së emrit, procesi po zgjat shumë dhe do të ishte një veprim i pamatur që dikush të prognozojë se çfarë mund të ndodh në periudhën e ardhshme”,- theksoi ministri në largim i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski.
 
I pyetur nga gazetarët se a do të jetë në pozitat udhëheqëse të partisë, Popovski tha se nuk ka plane konkrete për marrjen e pozitave të larta në parti, por do të vazhdojë të punojë si deputet në Kuvendin e RM-së.
 
Nikolla Popovski u bë ministër i Punëve të Jashtme në vitin 2011, pozitë në të cilën paraprakisht ishte Antonio Milloshovski.  
 
ERSAN PAJAZITI