Maqedoni
Debat në “Argument”:A u përfshi programi i partive shqiptare në programin e qeverisë Zaev?
31.05.2017 17:16
Formimi i qeverisë së re ngjall shpresën se vendi përfundimisht do të hapërojë në drejtimin e duhur...

Formimi i qeverisë së re ngjall shpresën se vendi përfundimisht do të hapërojë në drejtimin e duhur, vlerësoi politikologu, Milaim Fetahu, në emisionin “Argument” në TVM2. Ai në kabinetin e Zoran Zaevit sheh një vullnet që Maqedonia ta tejkalojë krizën disavjeçare për të cilën thotë se ka mbështetje ndërkombëtare.
“Te Zaevi dhe te kjo qeveri shoh një ide pozitive dhe një vullnet të mirë për ta tejkaluar këtë krizë të golgotës të cilën e gjet Maqedonia në një regjim autokrat i cili zgjati 4,5 vitet e fundit. Është shumë e theksuar përkrahja e ndërkombëtarëve, sidomos çështja e anëtarësimit në NATO për t’u gjetur një kompromis për emrin, çështja e BE-së, më në fund për shkak të idesë që ishte në Maqedoni, se kohëve të fundit me të madhe u eksploatua mundësia që Maqedonia të devijojë vijën euroatlantike”,- deklaroi politikologu, Milaim Fetahu.
Analisti politik, Nijazi Muhamedi, është skeptik për sa i përket realizimit të programeve të partive shqiptare, pasi që konsideron se ata janë futur në programin e një partie tjetër që nuk përkon me interesat e tyre.
“Dy apo tri parti shqiptare pranojnë në mënyrë injorante programin e një partie tjetër i cili fshin të gjitha interesat e shqiptarëve dhe këtë përgjegjësi do ta mbajë dikush dikur, për arsye se ky program për shqiptarët nuk sjell asgjë të re përveç turpit që partitë shqiptare hynë në programin e një partie tjetër, konceptin qytetar i cili po ashtu është rrezik dhe kjo do të ndryshojë identitetin e shqiptarëve ose akulturimin si fazë e parë të shqiptarëve për të kthyer pastaj shqiptarët në fazën e dytë në konceptin e kombit politik maqedonas”,- theksoi analisti politik, Nijazi Muhamedi.
Vlerësimet e Muhamedit i konsideron si të ashpra analisti, Ibraim Memeti, pasi që, sipas tij, vendit fillimisht duhet t’i kthehen apo ripërtërihen kapacitetet institucionale.
“Unë këtë e shoh si një proces të rindërtimit të shtetit edhe pse duhet të presim të shohim cilat janë shpjegimet e partive shqiptare në këtë rast lidhur me programin qeveritar. Mendoj se problemi apo prioriteti i parë i kësaj qeverie ka qenë që të rindërtohet ajo që është shkatërruar dhe kuptohet të ripërtërihen ato institucione të cilat sollën deri te kjo situatë që është tani”,- theksoi analisti politik, Ibraim Memeti.
Veç programit të ri që parashtroi mandatari, Zoran Zaev, dhe pozicionimit të partive shqiptare, pjesëmarrësit në debat u përqendruan edhe në kapacitetet kadrovike të kabinetit. Nijazi Muhameti shprehu dyshimin se kuadrot e propozuara nga partitë shqiptare kanë kapacitetin e nevojshëm për t’u përballur me detyrat, ndërsa për politikologun, Milaim Fetahu, mbetet të kalojë 100 ditëshi për të dhënë vlerësimet.
NAIM RAMADANI
