Maqedoni
Xhaferi u drejtohet në shqip, VMRO-DPMNE e quan provokim
31.05.2017 17:39
Debatit edhe sot nuk i kanë munguar përplasjet mes kryeparlamentarit dhe deputetëve të VMRO-DPMNE-së...

Këta të fundit vazhdojnë ta quajnë Talat Xhaferin deputet të thjeshtë. Xhaferi thotë se për sa kohë t’i drejtohen si deputet, ai do t’u drejtohet në gjuhën që flasin të gjithë deputetët shqiptarë në Kuvend.
“Dua të jem korrekt dhe të them para opinionit se ne nuk do të hymë në skenarë të provokimeve të cilat i shohim edhe sot. Nuk do të lejojmë të jemi pjesë e skenarëve të tilla, as të jemi të akuzuar për të njëjtit. Qëllimi ynë i mirë u dëshmua dje, por vetëm nëse ka sjellje korrekte prej palëve tjera. Nëse ajo sjellje korrekte bie në nivel kaq të ulët të llojit të provokimit që bën Talat Xhaferi dhe disa deputetë tjerë, atëherë kot kemi shpresuar për normalizim të situatës”,- deklaroi Ilia Dimovski nga VMRO – DPMNE.
“Për pjesën e procedurales që ka të bëjë me mua, unë nuk di ndryshe si të drejtohemi përderisa më drejtohesh si deputet. Për faktin që jam deputet, jam deputet edhe këtu edhe atje. E kuptoj shumë qartë se duke qenë kryetar i Parlamentit, nëse dua t’i drejtohem Parlamentit e kam për obligim të dal atje. Derisa më drejtoheni përmes ndërhyrjeve procedurale dhe deputetit Talat Xhaferi, un vetëm e kryej obligimin tim zyrtar”,- tha kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
