Maqedoni
Vazhdon debati në Kuvend, qeveria e re para mesnatës
31.05.2017 18:39
Për dy ditë radhazi po vazhdon debati për përbërjen dhe programin e qeverisë së re, e cila më së voni duhet të zgjidhet deri sonte në mesnatë...

Për dy ditë radhazi po vazhdon debati për përbërjen dhe programin e qeverisë së re, e cila më së voni duhet të zgjidhet deri sonte në mesnatë. Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, programi i ofruar qeveritar është populizëm, pa projekte dhe afate konkrete. Kritika edhe për numrin e ministrave. Deputeti i VMRO DPMNE-së, Zoran Iliovski, tha se kjo qeveri nuk mund të jetë reformatore dhe është e destinuar të dështojë.
“Programi që pranuam nga z. Zoran Zaev ka gjëra të futura, teza të përgjithshme pa afate konkrete. Fjalimi i z. Zaev ishte plot me floskula boshe, poezi, fjalë të mëdha dhe premtime. Edhe përpjekja për t’u paraqitur kjo qeveri si reformuese sipas meje është një përpjekje e dështuar. Që një qeveri të marrë epitetin reformues, para së gjithash duhet të udhëhiqet nga njeri që ka autoritet, kredibilitet, të ketë mbështetjen e popullit në zgjedhje dhe të vlejë për njeri të ndershëm dhe punëtor”,- theksoi Zoran Ilioski nga VMRO-DPMNE.
Deputetët e LSDM-së, nga ana tjetër, hedhin poshtë pretendimet e VMRO-së. Sipas tyre, programi i dorëzuar në Kuvend është vetëm sublimim, ashtu siç kanë qenë edhe programet e kryeministrave paraprakë, përfshi edhe Gruevskin. Deputetët e shumicës dënuan qeverisjen 12 vjeçare të VMRO-DPMNE-së, posaçërisht refuzimin për të mundësuar transfer të qetë të pushtetit, i cili kulminoi me aktin e dhunshëm të 27 prillit në Kuvend. Deputetët e shumicës presin nga deputetët e VMRO-së që të kërkojnë falje që i hapën dyert e Kuvendit dhe u mundësuan dhunuesve të sulmojnë deputetët e shumicës së re.
“Nuk ndërhyj në fjalimin tuaj politik rreth programit të qeverisë, mund të flisni çdo gjë, por asnjë diskutim i juaj, i secilit, nga rreshti i parë deri te ai i fundit, nuk ju lanë. Ajo që ndodhi më 27 prill është turp për historinë e VMRO-DPMNE-së. Çdo gjë që bëri ndër vite ajo VMRO e lavdishme për të cilën kemi mësuar, ju e rrënuat”,- tha Goran Misovski nga LSDM.
Debati vazhdon, sipas të gjitha gjasave deputetët do të ezaurojnë deri në fund afatin për zgjedhjen e qeverisë së re dhe kjo pritet të ndodh në mesnatë. Për zgjedhjen e qeverisë duhet të votojnë pro 61 deputetë nga përbërja aktuale prej 120 deputetëve. Shumica e re ka 62 deputetë. Në qeverinë e re, sipas propozim-përbërjes që e parashtroi mandatori Zaev, ministri do të kenë LSDM, BDI dhje Aleanca për shqiptarët. Ministra pa resor të propozuar nga BDI janë Hazbi Lika dhe Bujar Osmani, të cilët do të drejtojnë Sekretariatin për Zbatimin e MO-së, përkatësisht Sekretariatin për Eurointegrime. Edhe Ramiz Merko është ministër pa resor, ndërsa Sadulla Duraku është propozuar ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kreshnik Bekteshi ministër i Ekonomisë dhe Bylent Saliu ministër i Drejtësisë. Nga radhët e Aleancës për shqiptarët është propozuar ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Radmilla Shekerinska është propozuar ministre e Mbrojtjes, Oliver Spasovski – ministër për Punë të Brendshme, Dragan Tevdovski - për Financa, Nikolla Dimitrov - ministër për Punë të Jashtme, Renata Treneska Deskovska - për Arsim dhe Shkencë, Goran Sugarevski – ministër për Transport dhe Lidhje, Ljupço Nikollovski - për Bujqësi, Milla Carovska - për Punë dhe Politikë Sociale, Damjan Mançeski - për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Robert Allagjozovski - për Kulturë. Koço Angjushev është propozuar ministër pa resor dhe do të jetë zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike. Për ministra pa resor janë propozuar edhe Edmond Ademi, Robert Popovski, Adnan Qahil, Samka Ibraimovski, Zoran Shapuriq dhe Zorica Apostollovska.
Por, a janë të pastër para ligjit kandidatët për ministra?! PPS ende nuk ka dalë më qëndrim zyrtar nëse kandidatë të caktuar janë në konflikt me ligjin si të dyshuar për krim dhe korrupsion. Edhe pse mandatori për formimin e Qeverisë së re, Zoran Zaev, ditë më parë dërgoi kërkesë në Prokurorinë Speciale Publike për të marrë përgjigje në pyetjet nëse ministrat e kabinetit të tij qeveritar janë të dyshuar apo ndaj ndonjërit është ngritur akuzë për ndonjë vepër penale.
SHPËTIM NUREDINI
