Zaev falenderon shqiptarët: U provokuan, po ditën të përmbahen
01.06.2017 14:28
Kryeministri Zoran Zaev shprehu bndjen se të gjitha partitë do të bashkëpunojnë në interes të qytetarëve dhe qeveria e re ka nevojë për bashkëpunimin e opozitës...

Kreu i ekzekutivit e kupton që roli I opozitës pranohet me vështirësi, por ka premtuar shënimin e plagëve serioze të shkaktuara deri tani dhe ka shprehur respect ndaj shqiptarëve që nuk ranë nën ndikimet e albanofobëve.
“Para dhe pas zgjedhjeve në shoqërinë tonë mbetën plagë serioze. Kishte albanofobi në Maqedoni. Këto plagë këtu do të kalojnë por ata që mbeten janë të thella. Dua këtu publikisht t’u shpreh respekt për qëndrueshmërinë kryetarëve të partive shqiptare sepse kanë mundur të reagojnë edhe ndryshe kur kanë qenë të provokuar”, tha Zoran Zaev, kryeministër i RM-së.
Gruevski: Shqiptarët fituan atë që me LSDM-në e ëndërronin
Kreu I opozitës Maqedonase, ish kryeministri Gruesvki, nuk ka harruar të përshëndesë qeverinë e re që hoqi dorë sic tha, nga “platforma e Tiranës”. Sa I përket akuzave se qeveria e tij nuk ka bërë asgjë për shqiptarët, Gruevski tha se ishte perceptim I krijuar artificialisht.
“Gjithmonë do ta keni të shtrirë dorën e bashkëpunimit, kur kjo mjegull artificiale do të hiqet. Shikoni përfaqësimin e shqiptarëve në administratë I cili nga 10% në 2006, u ngrit në 20% aktualisht . Atëherë do ta keni të qartë sjelljen tonë me ta. Mos të përmend rrugët e ndërtuara, ujësjellësit, kanalizime, shkolla, salla sportive, universitete, hapjen e fabrikave të reja në Tetovë, Strugë, Kërcovë, Gostivar, Shkup, e shumë benefite të tjera që shqiptarët në qeverisjen e LSDM-së mundeshin vetëm ti ëndërronin”, tha Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Interesat e shqiptarëve, Kasami: Klasifikohen në grupin e interesave qytetare
Kreu I lëvizjes Besa, nuk beson se mentaliteti ndaj shqiptarëve do të ndryshojë tani. Maqedonia vazhdon që parësor të ketë interesin etnik të maqedonasve dhe interesat e shqiptarëve, klasifikohen në grupin e interesave qytetare thotë Kasami.
“Si rezultat I kësaj mendësie, ne sot kemi shtet , që kur është në pyetje përkatësia etnike, ranon dhe hap dyert vetëm për përkatësinë maqedonase, ndërsa të tjerët i njeh e i pranon vetëm si qytetarë. Jo rastësisht cdo dhjete vjet i rikthehemi temave të njejta se kujt dhe sa I takon ky shtet”, tha Bilall Kasami, kryetar i lëvizjes ‘BESA’.
Ahmeti: Qeveria do ketë sukses, punojmë për reformat
Lideri I BDI-së Ali Ahmeti, është I bindur se qeveria e re ka kapacitet ti kalojë me sukses sfidat që e presin, me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.
“Ka një përkushtim shumë të fortë nga të gjitha forcat politike që kanë ngritur këtë partneritet dhe këtë koalicion dhe njëherit shpresoj dhe jam shumë i sigurtë që edhe komuniteti ndërkombëtar do të jetë shumë pranë për të ndihmuar të tëra proceset në vijim si reformat në drejtësi ashtu edhe për disa çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me vendin tonë drejtë zhvillimeve apo situatave që na presin drejtë antarësimit të vendit në NATO dhe BE”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së
PDSH: Përshëndesim reformat, skeptikë për BDI-në
PDSH është skeptike se qeveria e re, me BDI-në brenda saj, do të arrijë të avancojë të drejtat e shqiptarëve.
“Përcaktimet kapitale të kësaj qeverie për integrim të vendit në NATO dhe BE dhe reforma institucionale, janë për tu përshëndetur, por këto postulate të qeverisë, asnjëherë nuk mund të udhëhiqen nga një qeveri me BDI-në, pasi 15 vite rresht ajo mashtroi shqiptarët me integrimet dhe kishte dështime kapitale politike në drejtim të avancimit të interesave të shqiptarëve”, tha Bardhyl Dauti, deputet i PDSH-së.
Edhe përkundër fjalëve pro dhe kundër ekzekutivt të tij Zaev është I prerë se asgjë nuk mund ta ndalë rrugën reformuese të vendit dhe mirqënien e qytetarëve të tij. Nëse punohet me dinamikë dhe përkushtim, Zaev u shpreh i bindur se vendi mund të zbatojë reformat e Pribesë për një periudhë prej 2 vitesh. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
