Maqedoni
BE, SHBA dhe NATO përshëndesin formimin e qeverisë së re
01.06.2017 15:01
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe eurokomisari për zgjerim Johanes Hahn, kanë përshëndetur zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë....

Ata porositën se presin që Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev dhe opozita, të përgatisin program të përbashkët për agjendën reformuese e cila do të jetë në dobi për Republikën e Maqedonisë.
“Ne e përshëndesim votimin për qeverinë e re të kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev. Bashkimi Evropian është i gatshëm ta mbështesë punën që qeveria e re, si dhe opozita do ta bëjnë që në mënyrë konstruktive të implementohen të gjitha pjesët e Marrëveshjes së Përzhinos dhe Prioritetet reformuese urgjente. Presim të gjitha partitë parlamentare t’i lënë ndarjet e tyre anash për momentin dhe nga fillimi të punojnë bashkërisht në dorëzimin e agjendës së përbashkët reformuese e cila do të jetë në dobi të vendit në tërësi. Kjo është, gjithashtu, me rëndësi esenciale që vendi të kthehet në rrugën e vet drejt integrimit evropian, proces të cilin qytetarët e duan qartë dhe e meritojnë”, thuhet në kumtesën e dyshes së lartë evropiane.
Edhe Departamenti amerikan i shtetit përmes një kumtese ia uroi formimin e Qeverisë së re Maqedonisë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia urojnë kryeministrit Zoran Zaev dhe shumicës në Kuvend formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë. Si mik dhe partner i Maqedonisë, SHBA-ja do të bashkëpunojë me Qeverinë e re në punën e saj drejt përmbushjes së aspiratave euroatlantike me implementimin e reformave urgjente, përforcimin e sundimit të së drejtës, pavarësi gjyqësore, lirinë e mediave dhe përgjegjësinë e Qeverisë”, shtuan në kumtesën e publikuar nga Departamenti amerikan i shtetit.
Sekretari gjeneral i Aleancës Atlantike Jens Stoltenberg ka uruar për zgjedhjen e Qeverisë sëre dhe ka shprehur interesimin e NATO-s për një Maqedoni stabile.
“Sot bisedova me kryeministrin Zaev dhe e urova për detyrën e re të tij. Në bisedime, ne u pajtuam për rëndësinë e zgjidhjes së problemeve për reformat e nevojshme, përfshirë këtu edhe qeverisjen e mirë dhe sundimin e së drejtës. Këto reforma do të jenë në dobi të qytetarëve të Maqedonisë kurse edhe do t’i avancojnë proceset e integrimit euro-atlantik. NATO ka interesim për shtet stabil, demokratik dhe për Ballkanin Perëndimor”, tha Stoltenberg. Ai në fund tha se “Si Shkupi do të bëjë përparim, ashtu edhe NATO do të vazhdojnë me sigurim të mbështetjes”.
Edhe Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar kryeministrin e porsazgjedhur të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe Qeverinë e re të Maqedonisë të zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë.
“Shpreh bindjen e plotë se Qeveria e re e Maqedonisë do të vazhdojë fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira që dy vendet dhe dy popujt tanë kanë ndërmjet tyre”, shkruan kryeministri Mustafa, në telegramin dërguar kryeministrit Zaev.
FLORIJE BELULI KAMBERI
