MAQEDONI
USLPM filloi fushatën “Rregullo lejeqëndrimin“
30.05.2014 17:03
Me moton “Rregullo lejeqëndrimin“, Unioni Studentor i Luginës së Preshevës në Maqedoni...

Me moton “Rregullo lejeqëndrimin“, Unioni Studentor i Luginës së Preshevës në Maqedoni filloi fushatën e saj për vetëdijësim dhe informim të studentëve të Luginës së Preshevës, të cilët studiojnë në Maqedoni, me qëllim të qartësimit të procedurës së lejeqëndrimeve të tyre gjatë periudhës studimore.
Nga Organizata në fjalë theksojnë se studentët si pasojë e mospërfilljes së kërkesave ligjore dhe afateve të përcaktuara kohore, ata shpeshherë janë përballur me ndalesa për hyrje në Maqedoni, ndalesa këto të cilat kanë penguar ndjekjen e procesit akademik në Maqedoni.
“Qëndrimi i USLPM-së lidhur me çështjen e mosrregullimit të dokumenteve është i prerë dhe në pajtueshmëri me ligjin, që do të thotë nuk e justifikon studentin e Luginës së Preshevës të mos e rregullojë atë. Si çdo qytetarë i huaj në Republikën e Maqedonisë edhe studentët e Luginës duhet t’i përmbahen ligjit. I bëjmë apel studentëve tanë të kenë në konsideratë rëndësinë e rregullimit të lejeqëndrimeve, faktin që afati për rregullimin e saj zgjatë vetëm 90 ditë”, deklaroi kryetari i USLPM-së, Skofiar Kamberi.
Nga kjo organizatë njëherit apelojnë te të gjithë studentët të cilët planifikojnë të studiojnë në institucionet e arsimit të lartë në Maqedoni, të fillojnë procedurën e rregullimit të lejeqëndrimit në Maqedoni që nga muaji korrik i këtij viti.
Në Maqedoni arsimin e lartë e ndjekin rreth 500 student nga Lugina e Preshevës.
ZEJXHANE OSMANI
