Ndalimi i udhëtimeve, Trump i drejtohet gjykatës supreme

02.06.2017 12:02

Presidenti amerikan nuk heq dorë nga urdhëri i tij për tëndaluar udhëtimet në SHBA nga 6 vende kryesisht myslimane...

Administrata e Donald Trump i kërkoi Gjykatës Supreme që të lejojë hyrjen në fuqi të ndalimit të udhëtimit. Urdhri Ekzekutiv i Trump u ndalua më herët nga gjykata të shkallëve më të ulta, që e cilësuan atë diskriminues.

Administrata dërgoi dy aplikime emergjence tek Gjykata e Lartë për të bllokuar urdhrat e gjykatave të tjera që shkojnë kundër urdhrit të 6 marsit të Trump për të bllokuar hyrjen në vend të njerëzve nga Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni për 90 ditë, ndërsa qeveria implementon shqyrtimin më të ashpër të vizave.

Departamenti i Drejtësisë tha se Gjykatës Supreme i është kërkuar që të shqyrtojë çështjen, pasi ata besojnë se urdhri i Presidentit është brenda autoritetit të tij ligjor për të garantuar sigurinë e kombit. Duhen 5 vota, një shumicë e thjeshtë nga 9 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që urdhri i Trump të hyjë në fuqi.

Urdhri i parë i Trump për ndalimin selektiv të udhëtimeve u bë në janar, por gjykatat e ndaluan. Fat të njëjtë pësoi edhe urdhri i dytë në mars, pavarësisht modifikimeve që ishin bërë për të kaluar pengesat që hasi i pari.

BELINDA KOKA ADEMI