Filipine, sulm në resortin turistik, 37 të vdekur
Të paktën 37 persona humbën jetën në një resort turistik në Manila të Filipines....

Të paktën 37 persona humbën jetën në një resort turistik në Manila të Filipines dhe dhjetra të tjerë mbetën të plagosur, pasi ai u sulmua nga një person i armatosur. Shefi i policisë së Filipineve tha se personi i armatosur kishte hyrë në zonën e lojërave në resort, duke u vënë zjarrin disa tavolinave.
Ai shtoi se ishte qëlluar me armë zjarri, por se plumbat nuk u ishin drejtuar të pranishmëve në sallë. Viktimat nuk u vranë nga plumbat po mbetën të asfiksuar nga tymi që përfshiu ndërtesën.
Autoritetet policore filipinase kanë përjashtuar mundësinë për sulm terrorist të lidhur me ISIS, pasi asnjë nga viktimat nuk ka plagë me armë zjarri në trup.Sipas tyre, bëhet fjalë për një grabitje të dështuar me armë.
Policia në qëndrimin e saj zyrtar, tha se agresori kishte vepruar i vetëm dhe se nuk ka lidhje me Shtetin Islamik. Megjithatë, kjo tezë mbetet ende për t’u vërtetuar. Sulmi u regjistrua pak pas mesnatës, me orën lokale. Nga resorti popullor turistik “World Manila” që ndodhet pranë aeroportit ndërkombëtar, u dëgjuan krisma armësh dhe shpërthime.
Forcat speciale “SWAT”, efektivë policie, zjarrfikëse dhe ambulanca, u dërguan menjëherë në zonë. Pamjet e shfaqura në televizion treguan njerëzit teksa largoheshin të frikësuar nga hoteli. Kompleksi turistik, më i madhi në Filipine, përfshin katër hotele, kazino, restorante, bare, klube, kinema dhe teatro. (Gyltene Sinani, TVM2)
