Të gjithë kundër Trump! Marrrëveshja e Parisit nuk mund të rinegociohet
Vendimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump....

Vendimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Klimës që u arrit në Paris në dhjetor të vitit 2015 nuk është pritur mirë.
Liderët botërorë kanë shprehur zhgënjim, duke nënvizuar se akordi që është firmosur nga 195 palë, nuk mund të rinegociohet.
Reagimi më i fortë erdhi nga Franca, Italia dhe Gjermania, të cilat përmes një qëndrimi të përbashkët e konsideruan paktin e Parisit diçka të pakthyeshme. Sipas tyre, Marrëveshja e Parisit është një arritje historike, e cila mund t’i vërë fre shkatërrimit të mëtejshëm të planetit.
“Ne do të dalim të suksesshëm, pasi jemi të vendosur. Pavarësisht se ku jetojmë apo pavarësisht se kush jemi, ne ndajmë një përgjegjësi të përbashkët. Ta bëjmë planetin të madh sërish” – tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Ish sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, thotë se askush nuk e detyroi Amerikën të bëhet pjesë e marrëveshjes, por ajo mori lidershipin sepse e pa që marrëveshja ishte e mirë.
“195 vende punuan së bashku për dekada të tëra, SHBA-të morën kryesimin për të përfshirë edhe Kinën në këtë marrëveshje, si dy emetuesit më të mëdhenj në botë të emisioneve të karbonit, dhe u vendos që ato duhet të reduktohen . Asnjë vend nuk kushtëzohet përmes kësaj marrëveshjeje të bëjë dicka që nuk do. Pra Trump po gënjen amerikanët, marrëveshja nuk na u imponua . Ne u dakorduam ta repsektojmë marrëveshjen, ne e krijuam atë, është marrëveshje vullnetare , por nga e cila nuk mund thjesht të largohemi” – tha ish sekretari amerikan i shtetit, John Kerry.
Tërheqja nuk u prit mirë as nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, ka nisur bisedime me qeverinë amerikane, pasi e konsideron ShBA-në një faktor kyç në zbatimin e akordit.
Me nota zhgënjyese janë shprehur edhe vendet e tjera, përfshirë Kinën, e cila mbetet një prej shteteve më problematike për nivelin e ndotjes së ambientit. Pekini zyrtar konfirmoi vendosmërinë për t’a dërguar paktin deri në fund. (Gyltene Sinani, TVM2)
