Botë
Fushata zgjedhore në Shqipëri, vazhdojnë akuzat, partitë në kërkim të votave
02.06.2017 16:19
Vijon e ethshme fushata elektorale në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar gjirokastritëve votën edhe për një mandat tjetër 4 vjecar..

Vijon e ethshme fushata elektorale në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar gjirokastritëve votën edhe për një mandat tjetër 4 vjecar, për të çuar para punët që ka nisur në kuadër të rilindjes urbane.
Nga Pogradeci, kreu i PD Lulzim Basha ka ftuar për të disatën herë kryeministrin Edi Rama për një debat televiziv. Por, sipas tij Rama refuzon përballjen pasi nuk ka program për t’i ofruar shqiptarëve. Qeveria shqiptare ndërkohë ka vendosur krijimin e një task-force për mbarëvajtjen e fushatës elektorale.
“Që të bëjmë shtet tamam ne duhet të kemi të gjithë administratën shtetërore në funksion të njerëzve dhe jo në funkison të partive. Nuk mundet dot më të vazhdojmë duke i thënë atij që është i shkolluar, ka diplomën dhe eksperiencën dhe meriton t’i shërbejë atdheut në shtet, t’i themi se aty ku synon ti sundon një parti tjetër. Nuk mund të funksionojë kështu. Nuk mund të bëhet shteti një strehë vorfnore që rrogat e shtetit të përdoren për tju dhënë njerëzve bukë në këmbim të aktivitetit partiak”, Edi Rama, kryetar i PS-së.
“Ekonomia është shkatërruar, Shqipëria është në mjerim, je ti që nuk e kupton, që je shkëputur totalisht nga Shqipëria e vërtetë, ndaj më 25 qershor është koha që i rrethuar nga fluska e vizatimeve, e pikturave e ekspozitave, e batutave, e estradave të ngrihesh njëherë e mirë në ballonin ku jeton e të largohesh nga pushteti për t’i hapur rrugë një republike të re të qytetarëve shqiptarë dhe një kryeministri për qytetarët e thjeshtë”, tha Lulzim Basha, kryetar i PD-së.
LULJETA NDOKA
