Maqedoni
VMRO: Zaev u ik premtimeve ekonomike; VMRO: Taravari, nacionalist i tërbuar
03.06.2017 16:22
Kreu i qeverisë Zoran Zaev dhe ministri i shëndetësisë Arben Taravari kanë qenë në qendër të akuzave...

Kreu i qeverisë Zoran Zaev dhe ministri i shëndetësisë Arben Taravari kanë qenë në qendër të akuzave të VMRO DPMNE-së, në opozitë.
“Qeveria e kriminelit të falur Zoran Zaev dhe LSDM-së nuk kanë çfarë t’i ofrojnë popullit, përveç premtimeve të rreme, destruktivitetit dhe frikës. Për këtë arsye, kjo qeveri nuk është reformuese, por anti-reformuese”, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.
Sipas VMRO DPMNE-së është çmenduri që LSDM të flasë për sistemin gjyqsor, por është e pritshme që ajo të ik nga plotësimi i premtimeve ekonomike.
“Prandaj, deklarata e parë e Zoran Zaevit nuk është për rritje të pensioneve ose rritje të rrogës mesatare prej 30 mijë denarë. Deklarata e parë është për ndërrimin e prokurorit publik, i cili e ndjek për mitmarje.” - thuhet në kumtesë.
Mirëpo nga LSDM thonë se përkrah reformave në gjyqësi, qeveria e re e kryesuar nga LSDM do të vazhdojë të zbatojë programin e qeverisë me përkushtim dhe transparencë, që do të sjell përparim, drejtësi, barazi dhe jetë për të gjithë në Maqedoni.
“Sëshpejti do të ketë edhe vende të reja pune edhe paga më të mëdha, dhe kjo nuk varret më nga Gruevski”- thonë nga LSDM.
VMRO DPMNE-së nuk i pëlqejnë as veprimet e para të ministrit të shëndetësisë, Arben Taravari. Shprehen të zhgënjyer nga CV-ja e tij madje, e cilësojnë nacionalist të tërbuar, që mezi prêt të futet në konflikt për cështje kombëtare, etnike dhe partiake.
“Ndoshta kjo do t’i pëlqej shefit të tij, i cili ushqehet me deklarata nacionaliste dhe shovene dhe gjuhë të urrejtjes por sigurisht që kjo nuk është rekomandim i mirë për shumicën e qytetarëve të cilët presin që ta përmirësojë shëndetësinë me reforma, dhe të mos zihet me partitë politike, pa u provokuar, të të sillet si i papjekur.” – thuhet në kumtesën e VMRO DPMNE-së.
Reagimi i këtillë vjen pasi ministri Taravari, refuzoi që sëbashku me kolegët e kabinetit qeveritar të takojë presidentin Ivanov por edhe për shkak të qëndrimit të tij për shfuqizimin e reformave që VMRO aplikoi në shëndetësi, nisur nga pagesa e mjekëve sipas angazhimit deri te drejtorët ekonomik të spitaleve.
SHPËTIM NUREDINI
