MAQEDONI
Nesër fillon matura shtetërore
30.05.2014 17:42
Maturantët nga dita e nesërme do t’i nënshtrohen provimit shtetëror...

Maturantët nga dita e nesërme do t’i nënshtrohen provimit shtetëror duke filluar testimin me gjuhën amtare.
Më 11 qershor do të testohen nxënësit që kanë përzgjedhur anglishten, frëngjishten, gjermanishten apo rusishten. Më 13 qershor do t’i nënshtrohen testimit në matematikë, estetikë dhe filozofi dhe 16 qershor do të mbahen provimet në kimi, fizikë, biologji, histori dhe biznes.
Të gjitha provimet fillojnë në orën 10 dhe realizohen në teste të ndara në dy pjesë, ese dhe pyetje me më shumë opsione.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski, informoi se këtë vit janë 18.370 aplikant që do t’i nënshtrohen provimit të maturës si kusht për arsimin sipëror.
Maturantët do t’i nënshtrohen testimit bazuar në konceptin e maturës shtetërore, e cila parasheh testimin e tre lëndëve eksterne dhe një interne.
“Rezultatet preliminare nga testimi ekstern kandidatët do t’i kenë në dispozicion jo më vonë se 30 ditë pas zbatimit të provimit të fundit ekstern dhe këto rezultate janë përfundimtare për kandidatët që nuk do të ankohen. Nëse kandidati mendon se ka ndonjë gabim në vlerësimin e detyrave, në llogaritjen e numrit të pikave, mund të paraqesë ankesë brenda dy ditëve pas publikimit të rezultateve . Për këta kandidatë, rezultatet përfundimtare do të jetë në dispozicion pas përfundimit të procesit të ankimit”, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski.
Nxënësit, të cilët për shkaqe të arsyeshme nuk do t’i nënshtrohen testimit në afatin e qershori ose nuk do të mund t’i kalojnë të gjitha provimet, do të mund të testohen në afatin e gushtit.
Ministri i Arsimit, Ristovski, thotë se është interesant fakti se në krahasim me vitin e kaluar, është rritur numri i kandidatëve që kanë përzgjedhur matematikën në nivelin themelor dhe të avancuar.
Ai pret që këtë vit maturantët të shfaqin vetëdije të lartë, pjekuri dhe gatishmëri që t’i përgjigjen sfidës së maturës shtetërore.
SANIJE KASAMI
