Botë

Tiranë, ministria e drejtësisë shkarkon 8 zyrtarë

03.06.2017 17:36

Ministri teknik i Drejtësisë në Shqipëri, Gazmend Bardhi, i cili vjen nga rradhët e Partisë Demokratike...

Ministri teknik i Drejtësisë në Shqipëri, Gazmend Bardhi, i cili vjen nga rradhët e Partisë Demokratike, ka shkarkuar nga detyra 8 zyrtarë të lartë, për shkak të përfshirjes në fushatë.
 
Siç njofton kjo ministry, shkarkimi ka ardhur pasi është konstatuar se zyrtarët në fjalë kanë shkelur ligjin duke u përfshirë në aktivitete elektorale, si dhe për neglizhencë në kryerjen e detyrave.  
 
Zyrtarët në fjalë janë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Sistemit të Burgjeve dhe Zyrës së Përmbarimit.  
 
Rastet e 8 zyrtarëve në fjalë i janë përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme, për veprën penale të “përfshirjes në kundërshtim me ligjin në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor”.  
 
Lidhur me shkarkimet ka reaguar Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila i ka cilësuar shkarkimet si “hakmarrje politike”. 
 
“S'mund të prisnim gjë tjetër nga marrëveshja e errësirës, që duan vetëm të hakmerren ndaj LSI”, theksojnë nga LSI duke aluduar në Marrveshjen Rama-Basha.