EKONOMI

“Forin Ofis”: Maqedonia e 29-ta për thithjen e investimeve

30.05.2014 18:09

Maqedonia është kthyer në destinacion tërheqës për investuesit e huaj...

Maqedonia është kthyer në destinacion tërheqës për investuesit e huaj, madje bashkë me Bullgarinë udhëheqin listën e vendeve ballkanike në këtë drejtim.
 
Lista e fundit e revistës prestigjioze amerikane “Forin Ofis”, e ka radhitur Maqedoninë në vendin e 29-të, që i bie 5 vende më lartë se një vit më parë.
 
Maqedonia ka lënë prapa Greqinë, e cila u radhit e 101 ose si një nga destinacionet më të këqija në rajon, madje vendi është shumë përpara edhe nga vendet e tjera, si Serbia që është plasuar e 55-ta apo edhe Turqia në vendin e 77-të.
 
Edhe drejtori i Agjencionit për Investime të Huaja, Visar Fida, vlerëson se Maqedonia është një vend atraktiv për investime, pasi u ofron një sërë avantazhesh investitorëve të huaj. Fida ka shpalosur mundësitë e investimeve në Maqedoni në një intervistë ekskluzive për emisionin “Kanali i Biznes-it”, i cili transmetohet në televizionin holandez, RTL-7. 
 
“Në vitin 2006 ne prezantuam sistemin e taksës së sheshtë, që do të thotë që kompanitë në Maqedoni  paguajnë 10% taksë të sheshtë për  të hyrat personale dhe taksave kooperative. Por kjo vetëm nëse paratë përdoren si dividendë. Nëse kompanitë vendosin t’i përdorin paratë e fitimit për kompanitë dhe  riinvestojnë në zhvillimin e tyre, atëherë në Maqedoni nuk paguajnë taksë. Qeveria ka vizion të qartë dhe qëllimi ynë kryesor është zhvillimi i ekonomisë”, deklaroi drejtori i Agjencionit për Investime të Huaja, Visar Fida.
 
Ne e kemi cilësuar veten si parajsa e re e biznesit evropian, që do të thotë se reklamojmë taksat dhe reformat e ndërmarra para investuesve të huaj potencial kudo në botë dhe kjo gërshetohet me reformat e ndërmarra në vend dhe në arsim, potencon Fida.  
 
“Ne përpiqemi të zhvillojmë sektorë të ndryshëm që janë më tërheqës për kompanitë investuese. Për shembull në 5-6 vitet e fundit shumë kompani automobilistike vendosën të investojnë në Maqedoni dhe ne përpiqemi t’i motivojmë të rinjtë që të orientohen drejt fakulteteve apo degëve teknologjike, sepse kur mbarojnë studimet, të rinjtë kanë vende të gatshme pune në kompanitë që investojnë te ne”, tha Fida.
 
Të jesh një vend i vogël dhe i panjohur në ekonominë apo botën e investimeve është dizavantazh dhe Maqedonia po provon në mënyra të ndryshme të tërheq kompanitë e huaja dhe ta prezantojë veten si destinacion tërheqës për investime, ka potencuar drejtori i Agjencisë për Investime të Huaja, Visar Fida, në intervistën për RTL-7.  
 
REXHEP QAMILI