Botë

Steinmeier: BE të mbështes Ballkanin, debat i ashpër i Thaçit e Nishanit me Vuçiç e Ivanov

04.06.2017 12:38

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka kërkuar që Evropa të mbetet e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor...

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka kërkuar që Evropa të mbetet e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor, megjithë problmet e shumta që e prekin këtë rajon.

Steinmeier, mbrëmë në fund të takimit në Brione të Sllovenisë, tha se “ajo që ndodhë në këtë rajon dhe po ashtu ajo që nuk ndodhë, do të na shqetësojë ne dhe do të ketë ndikim në ne”.

Ky takim i liderëve të vendeve të Ballkanit, që sponzorizohet nga Bashkimi Evropian, synon gjetjen e mënyrave për rritjen e bashkëpunimit në rajon.

Në deklaratën e përbashkët pas takimit, është kërkuar integrim i mëtejshëm në BE, forcim i dialogut dhe përmbajtje nga “retorika nacionaliste dhe provokuese”.

Në samit morën pjesë liderët e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

“Paqja, stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik në rajon, duhet të jetë lartë në agjendën tonë”, ka thënë presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Por Takimi i presidentëve në Bërdo Brioni duket se ka kaluar me një debat të ashpër mes presidentëve të Serbisë dhe Maqedonisë nga njëra anë dhe presidentëve të Kosovës dhe Shqipërisë nga ana tjetër.

Siç ka deklaruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk e mban mend të ketë pasur diskutim me të ashpër dhe me të rëndë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas tij së bashku me presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov shkëmbyen “fjalë të rënda dhe të ashpra me përfaqësuesit shqiptarë” duke aluduar në Hashim Thaçin dhe Bujar Nishanin.

“Ata u përpoqën të thonë se deklaratat e Beogradit se në rajon nuk është situatë e qetë janë trillime, dhe unë duhet të them se presidenti maqedon më dha mbështetje të plotë, dhe Serbia e Maqedonia i bën një bllok dy shqiptarëve”, tha Vuçiq.

“Unë sot u thashë se e kuptojmë se shqiptarët e Kosovës mund të jenë të pavarur, por ata nuk kanë nevojë të marrin këpucët tona dhe të thonë se Serbia e jep pëlqimin dhe e njeh Kosovën si shtet”, shtoi presidenti serb.

Zgjidhja më e mirë në Ballkanin Perëndimor është me anë të dialogut thekson Vuçiq.