Botë

Incidente terroriste në Londër, shtatë të vdekur dhe mbi 30 të plagosur

04.06.2017 13:45

Shtatë persona mbetën të vdekur dhe të paktën 48 të tjerë u plagosën, në incidentin e mbrëmshëm terrorist në Urën e Londrës...

Shtatë persona mbetën të vdekur dhe të paktën 48 të tjerë u plagosën, në incidentin e mbrëmshëm terrorist në Urën e Londrës dhe në një zonë afër urës.
 
Sipas policisë, sulmuesit, me një furgon, u futën në mesin e këmbësorëve në Urën e Londrës dhe më pas therën me thika klientët në restorantet pranë.
 
Tre sulmuesit meshkuj u qëlluan për vdekje nga policia në afërsi tregut Borough, pak minuta pas incidentit, rreth orës 22 sipas kohës lokale.
 
Dëshmitarët pohojnë se panë një furgon që goditi turmën e këmbësorëve dhe disa persona u therën me thikë.      
                                                                  
“I pashë tre persona, thirrnin kjo është për allahun, e pas se si e therrën një vajzë pamëshirshëm e therrën 10 apo 15 her derisa kërkonte ndihmë por isha I pa fuqishëm që ta ndihmoja.Therrnin gjithçka që do tu dilte në rrugë, burra, grad he fëmijë. Tentuan të më therrnin edhe mua, por arrita të hedh diçka ndaj tyre dhe shpëtova”…                    
                                                                                      
“Kur dola nga restorani e pash një njeri me thikë se si shkonte drejt marketit, njerzit bërtisnin nuk më kujtohet më shum, isha i pari që ika…                                                                                                                
“Isha në rstorantin ku punoj kur rreth ores 22 dëgjova krisma, policia u paraqit menjëher dhe kërkoi të rrim brenda pasi ishin vendosur rreth nesh”, shprehen qytetaret.
 
Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan tha se ai ishte “një sulm i qëllimshëm dhe frikacakësh ndaj londinezëve të pafajshëm” por shtoi se Londra mbetet “qyteti më i sigurtë në mbarë globin” dhe se londinezët nuk duhet të përulen nga terrorizmi.  
                                                               
“Nuk kam fjalë me të cilat do ti përshkruaja dhimbjen dhe hidhërimin. Jam I hidhëruar për shkak të këtyre teroristëve të krisur të cilët vrasin njerëz të pafajshëm. Nuk ka arsyetim për vepra të tilla, qëndrimi im është tejet i qartë, asnjëher nuk do të lejojmë të fitojnë dhe nuk do të lejojmë ta friksojnë qytetin dhe popullin tonë”, shprehet kryetari  i Londrës, Sadiq Khan. 
 
Më shumë se 80 mjete të emergjencave u dërguan në vendngjarje dhe të plagosurit, disa prej të cilëve në gjendje kritike, janë duke marrë trajtimin e duhur mjekësor në 5 spitale të kryeqytetit britanik.
 
Një nga të plagosurit është një oficer i Policisë Britanike të Transportit, i cili u godit me thikë pas reagimit ndaj incidentit.
 
Ndihmëskomisioneri i Policisë Metropolitane, Mark Rowley tha se besohet që ishin vetëm 3 agresorë të përfshirë dhe se veshjet me eksplozivë që mbanin të veshura ishin të rreme. Ai tha se janë rritur masat e sigurisë.    
                                      
“Po shqyrtojmë dhe planifikojmë rritjen e presences së policisë në qytet në ditët në vijim.Do të ketë forca të shtuara të policisë të shpërndara në kryeqendër”, u shpreh ndihmëskomisari i policisë në Londër, Mark Rowley.      
                                                       
Kryeministreja Theresa May menjëher pas incidentit ka thirrur komitetin qeveritar të emergjencave Kobra, ndërsa e ka quajtur sulmin të frikshëm.
 
Incidentin e ka dënuar menjëherë Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili në Twitter shkroi: "Çfarëdo që SHBA mund të bëjë për të ndihmuar në Londër dhe në Britaninë e Madhe, do të jemi atje. Ne jemi me ju. Zoti ju bekoftë".
 
Edhe presidenti francez Emmanuel Macron tha se Franca vihet në krah të Britanisë më shumë se kurrë, derisa dy prej viktimave ishin pikërisht shtetas francez.
 
Edhe kryeministri australian, Malcolm Turnbull tha se “lutjet dhe solidariteti i vendosur” ishin me popullin britanik.
 
Një australian është shtruar në spital, ndërsa i prekur ka mbetur edhe një tjetër.  
 
Edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel duke e dënuar sulmin tha se gjermania në këto momente të vështira ndodhet në krah të Britanisë.
 
Ndërsa Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker tha se “Mendimet dhe lutjet janë për viktimat dhe familjarët e tyre".
 
Britania e Madhe është në shkallë të lartë të alarmit pas incidenteve të fundit dhe në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit. Vetëm pak ditë më parë, një sulmues vetëvrasës u mori jetën 22 personave gjatë një koncerti të këngëtares amerikane Ariana Grande në Mançester.
 
GYLTENE SINANI