MAQEDONI

Prokuroria kërkon dënim maksimal për rastin “monstra”

30.05.2014 18:13

Prokurorja e angazhuar në rastin “Monstra”, në fjalën e saj përfundimtarë ka kërkuar nga trupi gjykues që 7...

Prokurorja e angazhuar në rastin “Monstra”, në fjalën e saj përfundimtarë ka kërkuar nga trupi gjykues që 7 të akuzuarit në këtë rast t’i shpall fajtorë për vrasjen e pesëfishtë në afërsi të liqenit të Smillkovcës.
 
Po ashtu ajo kërkon që ata të dënohen me dënimin më të rëndë që parasheh Kodi Penal. Të akuzuarit ngarkohen për veprën terrorizëm, ndërsa arsyet për kryerjen e kësaj vepre sipas prokurorisë janë krijimi i ndjenjës së pasigurisë dhe frikës te popullata maqedonase.
 
Dëshmitë kryesore të cilat sot numëroi Prokuroria ishin literatura fetare,vetura “Opel Omega”, foto, statuset në rrjetin social “Facebook” dhe kënga e reperit të njohur shqiptar, Gold Ag “ty o Gostivar“, në të cilën ai thirr në hakmarrje për dy shqiptarët e vrarë në Gostivar.
 
Me këtë rast, Prokuroria nuk ngurroi të japë edhe këshilla etike, duke u liferuar të akuzuarve, të cilët sipas saj, gjatë seancave gjyqësorë është dashur t’i shprehin ngushëllime familjarëve të viktimave.
 
Por, avokatët mbrojtës në këtë rast thonë se Prokuroria nuk ka paraqitur as një dëshmi të drejtpërdrejtë që të vërtetojë se të akuzuarit janë kryerës të kësaj vepre.
 
“Sipas fjalës përfunduese të Prokurorisë, sipas meje dhe përvojës sime,  përgatitet një padrejtësi dhe nga këto fjalë përfunduese unë jam edhe i dëshpëruar me një anë, se nuk e kishin analizën e provave materiale, as të atyre verbale. Fjalët përfunduese ishin periferi dhe pa rëndësi për lëndën, bëhej fjalë për CD-të, “facebook”-un e të disa akuzuarve, që secili prej nesh i ka në kompjuterin e vet”, deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi. 
 
“Nga fjalët përfundimtare të Prokurorisë nuk dëgjuam asnjë dëshmi të drejtpërdrejtë që ka të bëjë me kryerjen e veprës apo ndonjë kontribut të të akuzuarve për kryerje të veprës. Vlerësimi ynë është se nuk ka dëshmi se të akuzuarit janë kryerës të kësaj vepre”, u shpreh avokati mbrojtës, Gjorgji Nastevski.  
                                                                                          
Familjarët e të akuzuarve të shqetësuar nga fjalët përfundimtare të Prokurorisë, këmbëngulin në pafajësinë e familjarëve të tyre dhe rishtazi deklarojnë se ky është proces i montuar gjyqësor.
 
“Fjalët e fundit të Prokurorisë ishin të pavlera, sepse as një gjë nuk prezantoi  nga faktet të cilat i kanë shpallur në fillim, por u mor me disa këngë, fotografi, legjitimacion të UÇK-së. Unë nuk pashë ndonjë argument me të cilin njerëzit akuzohen dhe mbahen 25 muaj dhe u ngarkohet vepra terrorizëm”, theksoi familjari Bedri Ajdari.                  
                                                                                    
“Ajo mund ç’farë të dojë të kërkojë, mund të kërkojë edhe t’i sakatojnë, por këto nuk janë ata njerëz. Këtë e kanë thurë ashtu që neve të na i lënë fajin, por kjo nuk do të ndodhë, pasi që e drejta do të dalë në shesh. Shqiptarët ishin ata që te hotel “Kontinental” shpëtuan gruan me foshnjë, ata ishin shqiptarë jo maqedonas, ndërkaq dy ditë ishin protestat në Gjorçe, vdekje për shqiptarët, ndërsa shqiptarët i shpëtuan”, potencoi familjari Safet Aziri.      
                                                                        
“Prokuroria i ka dhënë një konotacion ndëretnik dhe ndërfetarë dhe nuk ka të bëjë asgjë me realitetin, kjo është një nxitje, kjo është një urrejtje, kjo është një maltretim. Nuk ka asgjë të vërtetë me këto fakte që ka përdorur Prokuroria, këto nuk janë vrasës, le ta dinë mediat dhe gjithë bota se këta nuk janë vrasës, ndërsa dënimi pritet sipas dëshirës së tyre”, tha familjari Aqif Sejdiu.
 
Fjalët përfundimtare para trupit gjykues pala mbrojtëse do t’i thotë më 5 qershor, atëherë kur pritet të kërkojë lirimin e të akuzuarve për mungesë provash.
 
FLORIJE KAMBERI