Maqedoni
Zhbllokimi i procesit eurointegrues; Selmani: Të revidohet politika e keqe maqedone
04.06.2017 17:38
Qeveria e re ka filluar aktivitetet diplomatike për të paraqitur qasjen e re të vendit përballë fqinjëve dhe vlerave europiane...

Qeveria e re ka filluar aktivitetet diplomatike për të paraqitur qasjen e re të vendit përballë fqinjëve dhe vlerave europiane.
“Maqedonia duhet të revidojë qasjen e saj agresive dhe refuzuese në planin ndërkombëtar si dhe politikën e keqe që solli vendin buzë greminës” thotë profesori universitar Bashkim Selmani.
Sipas Tij, qeveria e kaluar i prishi të gjitha raportet dhe binte në kundërshtim me rregullat dhe veprimet europiane dhe euroatlantike dhe në kontinuitet dështoi.
“Tanimë Maqedonia është në rrugë të mbarë Maqedonia do të ketë një ardhmëri më të mirë në rast se u përmbahet qasjeve funksionale. E para, kemi të bëjmë me revidimin e politikës së keqe maqedonase, e cila dëmtoi shtetin dhe qytetarët. Pritshmëria është shumë e madhe si nga ana e qytetarëve poashtu edhe nga ana e vetë shtetit”, shprehet profesori universitar Bashkim Selmani.
Roli i shqiptarëve në këtë proces ka qenë dhe mbetet me një rëndësi të posacme edhepse për shqiptarë janë anashkaluar për dy dekada, konsideron Selamni. Ai fton partitë shqiptare që të jenë vigjilente dhe të nxjerrin maksimumin nga revidimi I keqqeverisjes së deritanishme.
“Partitë politike shqiptare nuk kanë ndonjë program të qartë se cfarë do të humbnin dhe cfarë do të fitonin edhe me këtë politikë reviduese, them nuk është reformuese por, reviduese e asaj politike kokëforte që u pa deri tash në RM. Prandaj të gjitha këto zbutje reale duhet të shihen në prizmin e rolit dhe pozitës së shtetit dhe rolit dhe pozitës së qytetarëve, por edhe përfitimet eventuale që mund të krijojë vetë faktori politik shqiptar ”, shprehet profesori universitar Bashkim Selmani.
Ndryshe Maqedonia numëron në vend në procesin e integrimite europian që nga marrja e statusit kandidat në vitin 2005, ndërsa në procesin e anëtarësimit në NATO, avancim nuk është shënuar që në Samitin e Bukureshtit.
SHPËTIM NUREDINI
