Botë
Mali i Zi nesër bëhet anëtarja e 29-të e NATO-s
04.06.2017 19:23
Mali i Zi zyrtarisht nesër do të pranohet në anëtarësimin në NATO në ceremoninë që do të mbahet në Stejt Departamentin amerikan...

Mali i Zi zyrtarisht nesër do të pranohet në anëtarësimin në NATO në ceremoninë që do të mbahet në Stejt Departamentin amerikan, njoftoi sot televizioni shtetëror malazez RTCG.
Nënsekretari amerikan i shtetit, Thomas Shannon, do të jetë mikripitës i ceremonisë, me të cilën mirëpritet anëtarësimi i Malit të Zi në NATO.Në këtë ceremoni, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, zyrtarisht do ta depozitoj të ashtuquajturin "instrument të pranimit", duke e bërë Malin e Zi anëtarin e 29 të aleancës.
Në ceremoni do të marrë pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i aleancës veriatlantike, Jens Stoltenberg.
Pas kësaj ceremonie, flamuri i Malit të Zi do të valojë për të parën herë në selinë e NATO-s, më 7 qershor.
"Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të mbështesë integrim më të madh, reformë demokratike, tregti, siguri dhe stabilitet, me të gjithë fqinjët e vet”, tha Departamenti Amerikan i Shtetit, dhe ka shtuar se ky pranim, po ashtu, "e riafirmon tek vendet e tjera aspirante se dera e NATO-s mbetet e hapur për ato vende, që janë të gatshme të bëjnë reforma të domosdoshme për arritjen e standardeve të larta të NATO-s, dhe t’i pranojnë rreziqet, përgjegjësitë dhe, po ashtu, përfitimet nga anëtarësimi./mia
