MAQEDONI

Kanë përfunduar bisedimet BDI-VMRO për programin

30.05.2014 18:21

Bisedimet mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së për hartimin e programit të përbashkët qeveritar...

Bisedimet mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së për hartimin e programit të përbashkët qeveritar, kanë përfunduar.
 
Grupet negociuese tani diskutojnë ndarjen e resorëve, mirëpo detaje rreth programit, resorëve dhe kuadrove nuk zbulohen. Siç duket një gjë e tillë do të bëhet pas Kongresit të BDI-së të paralajmëruar për më pesë qershor.  
 
“Këto bisedime për platformën janë përfunduar, tani bisedohet faza e dytë rreth ndarjes së resorëve, rreth pozicioneve në Qeveri dhe shumë shpejt opinioni do të jetë i njoftuar edhe për marrëveshjen përfundimtare”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi.
 
Edhe përgatitjet për Kongresin e BDI-së kanë përfunduar. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së thotë se kanë përfunduar edhe aktivitetet brenda partiake. 
 
“Më pesë qershor do të mbahet Kongresi i BDI-së këtu në Tetovë. Përgatitjet janë në fund, sepse pesë qershori është shumë afër. Kanë përfunduar të gjitha aktivitetet organizative, por kanë përfunduar edhe aktivitetet brendapartiake, kështu që më pesë qershor presim Kongresin. Delegatët do të mblidhen në Tetovë, do të mbahet Kongresi dhe do të miratojmë programin e ri, statutin e ri, të zgjedhim kryetarin e BDI-së dhe Këshillin e përgjithshëm prej 75 anëtarëve”, theksoi sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi.
 
Ademi nuk zbuloi nëse në këtë Kongres, në garën për kryetar partie, do të ketë ndonjë kandidat tjetër që do të sfidojë kryetarin aktual, Ali Ahmetin.
 
SHPËTIM NUREDINI