Maqedoni

Reformat në drejtësi, Zaev: Pres dorëheqjen e Marko Zvrlevskit

05.06.2017 14:31

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Zoran Zaev, në afat sa më të shkurtër pret dorëheqjen e kryeprokurorit, Marko Zvrlevski...

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Zoran Zaev, në afat sa më të shkurtër pret dorëheqjen e kryeprokurorit, Marko Zvrlevski, si mënyra më e lehtë për t’i evituar të gjitha procedurat qeveritare dhe kuvendore. Kryeministri Zaev ka deklaruar se reformat në gjyqësor mbeten prioritet i qeverisë, ndërsa kryeprokurori Zvrlevski është simbol i uzurpimit të shtetit juridik.
 
“Reformat janë prioritet i kësaj qeverie, janë diçka që qytetarët e presin, ndërsa ndër reformat më të rëndësishme janë reformat në gjyqësor. Njëra nga simbolet për uzurpimin e shtetit juridik është Marko Zvrlevski, për atë besoj se sa më parë duhet të mbarojë edhe atë me dorëheqje. E di që ai ka pozitë tjetër në prokurori dhe çka do që të jetë është e radhës të jepet mundësia që të fillojnë reformat në gjyqësor”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Sipas Ligjit për Prokurori Publike të Maqedonisë, prokurori publik mund të shkarkohet nga funksioni para kalimit të afatit për shkak të kryerjes së funksionit në mënyrë të paligjshme, në mënyrë joprofesionale dhe në kohë, nëse me sjelljen dhe veprimin e tij tregon se nuk është i aftë për kryerjen e funksionit dhe nëse nuk ngrit kërkesa për procedurë penale në rastet e parapara me ligj.
 
Marko Zvrlevski vitet e fundit ishte kritikuar nga partitë dhe nga një pjesë e ekspertëve për veprim selektive, por edhe për mosveprim. Vërejtja e fundit ishte veprimi i tij mbi lëndën për dhunën në Kuvend më 27 prill. Vërejtje negative kishte edhe në raportet e Komisionit Europian, ndërsa mangësi janë identifikuar edhe nga konkluzionet e Pribesë.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI