Maqedoni
Dita Botërore e Mjedisit Jetësor, Xhaferi: e festojmë me deponi të egra funksionale; Mbrojtja e mjedisit jetësor, aktivistët: edhe qytetarët të bëjnë pjesën e tyre
05.06.2017 16:13
5 qershori, Dita Botërore për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor, e gjeti Tetovën me më pak ajër të ndotur pas mbylljes së “Jugohromit”...

5 qershori, Dita Botërore për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor, e gjeti Tetovën me më pak ajër të ndotur pas mbylljes së “Jugohromit”, por me problemet e njëjta ekologjike.
Shoqata “Eco Gerrilla” përmend problemet ende të pazgjidhura me deponinë e egër në hyrje të qytetit dhe shumë të tjera që janë hapur kohët e fundit gjithandej, si dhe mungesën e transportit publik.
“Është e vërtetë që ndaj mjedisit duhet kujdes gjatë tërë vitit, jo vetëm në ditë të shënuar. Ajo çka na është thënë në një panel të organizuar lidhur me mbeturinat në Tetovë na u tha që fillimi i prillit nuk do e gjente deponinë e egër në hyrje të qytetit, por ju jeni dëshmitarë se ajo sa shkon e rritet dhe zhvillohet, herë pastrohet herë mbushet përsëri. Megjithatë, një zgjedhje afatgjate duhet të zgjidhet se s’bën”,- deklaroi Arianit Xhaferi nga “Eco Guerilla”.
Zyra e mjedisit të OKB-së në Shkup dhe Qendra për Edukim dhe Zhvillim CED, zgjodhën Tetovën për të shënuar Ditën e Mbrojtjes së Mjedisit.
Ata kërkuan shpalljen si park kombëtar të malit Sharr dhe apeluan që të gjithë qytetarët të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit.
“Motoja e këtij viti do të jetë lidhja e njerëzve me natyrën, siç mund të shikoni edhe në logon e ditës së sotme më shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit Jetësor”,- theksoi Sonja Gerbert nga Zyra e Mjedisit pranë OKB-Së, Shkup.
“Duhet që secili të gjejë mënyrën për të mbrojtur natyrën. Nëse mendojmë se dikush tjetër do të vijë të pastrojë pas nesh, e kemi gabim. Duhet të ndryshohet ndërgjegjësia e njerëzve, vetëm ashtu mund të shkojmë përpara. Normalisht institucionet i kanë programet e veta, por edhe ne si qytetarë duhet ta mbrojmë natyrën”,- tha aktivistja civile, Frosina Pandurska.
Vitet e fundit Tetova ka qenë qytet në mesin e qyteteve më të ndotura në botë, por edhe tani vazhdon të ballafaqohet me probleme në këtë drejtim.
Padyshim që ndër problemet imediate që pret zgjidhje nga ministri i ri i Ekologjisë, është ai i mbylljes së deponive të egra, që ndotin jo vetëm Tetovën, por edhe shumë qytete të tjera të vendit.
VISAR SADIKI
