“The Guardian”: Rusia punon për largimin e Maqedonisë nga NATO-ja
Spiunët dhe diplomatët rusë thuajse një dekadë kanë punuar për rritjen e ndikimit në vendet e ish-shteteve të Jugosllavisë...

Spiunët dhe diplomatët rusë thuajse një dekadë kanë punuar për rritjen e ndikimit në vendet e ish-shteteve të Jugosllavisë për të parandaluar anëtarësimin e tyre në NATO, por edhe për t’i mbajtur më larg nga ndikimi i Perëndimit, shkruan gazeta britanike “The Guardian”.
Këto aktivitete kanë filluar që nga vitit 2008, shkruan gazeta, duke u thirrur në dokumente të klasifikuara nga shërbimet sekrete maqedonase, deri te të cilat ka ardhur Rrjeti për Raportim për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.
Nga dokumentet mësohen edhe përpjekjet e kundërzbulimit serb për mbështetje të nacionalistëve dhe pro-rusëve në Maqedoni.
“Me përdorimin e të gjitha teknikave dhe metodave të të ashtuquajturës “fuqia e butë”, si pjesë e strategjisë së Federatës Ruse të Ballkanit, qëllimi është izolimi i Maqedonisë nga ndikimi i Perëndimit”,- thuhet në dokument.
Në njërin prej raporteve të përgatitura në fillim të vitit për shefin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Vlladimir Atanasovski, thuhet se 9 vitet e fundit Maqedonia është “nën propagandë të fuqishme armiqësore dhe aktiviteteve kundërzbuluese të zbatuara nga Ambasada e Rusisë në Maqedoni”,- shkruan “The Guardian”.
Fillimi i aktiviteteve ruse në Maqedoni përkon me regresin e përpjekjeve të Maqedonisë për hyrje në NATO në vitin 2008, kur Greqia i vendosi veto për shkak të kontestit me emrin, nënvizon gazeta britanike.
Aktivitetet kundërzbuluese të Moskës janë zbatuar nga Ambasada në Shkup, nëpërmjet tre agjentëve të Kundërzbulimit të Jashtëm të Rusisë, shkruhet më tej.
Në një nga dokumentet është shkruar se “Agjentët rusë kanë punuar edhe në regrutimin e ish-përfaqësuesve të Armatës dhe përfaqësuesit aktualë dhe të një ministri për Punë të Brendshme që të krijohet masë kritike nga personat e përgatitur për luftë, të cilët në një rast të rëndësishëm politik ose situatë do të shfrytëzoheshin për t’i arritur interesat ruse”.
Agjentët nëpërmjet fondeve me para janë përpjekur që të ndikojnë edhe ndaj mediave maqedonase dhe shqiptare në Maqedoni, që të shpërndajnë informata dhe dezinformata për mbështetje të politikave ruse, shkruan “The Guardian”.
GAZMEND REXHEPI
