Maqedoni
Shënohet 25 vjetori i Odës së Mjekëve, Taravari: Ndryshime në projektin “Termini im”
05.06.2017 17:03
Ndryshime në sistemin shëndetësor, respektivisht në projektin “Termini im”...

Ndryshime në sistemin shëndetësor, respektivisht në projektin “Termini im”, shpërblime në vend të gjobave për mjekët, paralajmëroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në shënimin e 25-vjetorit të Odës së Mjekëve të Maqedonisë.
Shpërblimet për mjekët, sipas tij, duhet që të sigurohen nga paratë e drejtorëve të dytë për klinikat, për të cilët, siç tha, këto vende duhet të hiqen dhe mjetet të kalojnë për disa mjekë të suksesshëm në spitalet.
“Ne si Ministri e Shëndetësisë do të nisim një fushatë, me të cilën do ta promovojmë raportin e mirëfilltë ndërmjet pacientit dhe mjekut. Edhe ne mjekët jemi pacientë dhe ne duhet të shërohemi, ne jemi që kushtet nëpër spitalet të përmirësohen dhe të jenë të mira si për të gjithë pacientët ashtu edhe për ne. Mos harroni se sistemi shëndetësor është i formuar prej binomit pacient dhe mjek, kemi pacientë të kënaqur kur të kemi edhe mjekë të kënaqur”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Nga Oda e Mjekëve, ndërkohë, theksojnë se do të vazhdojnë të punojnë për të mirën e mjekëve dhe pacientëve në bashkëpunim me Fondin Shëndetësor dhe Ministrinë e Shëndetësisë.
“Jap një mesazh që bashkë si një ekip i përbashkët, si Oda e Mjekëve, Fondi Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë, të gjithë së bashku do të punojmë për mirëqenien e pacientëve si dhe për rregullimin e statusit të punëtorëve shëndetësorë, në veçanti të mjekëve”,- deklaroi nënkryetari i Odës së Mjekëve, Ylber Besimi.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Taravari, paralajmëroi se takimi me ekipin për krijimin e strategjisë së mjekëve do të jetë strategji kombëtare për shëndetësinë 2017-2020, që sipas tij do të jetë kushtetutë për mjekët.
REJHANE BUSHI-METAJ
