Maqedoni
Qeveria hapi dyert, mysafir i parë euroambasadori Zhbogar
05.06.2017 17:24
Kryeministri, Zoran Zaev, e ka pritur të ftuarin e parë në godinën e qeverisë, ambasadorin e BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar...

Zaev dhe Zhbogar kanë diskutuar prioritetet e ekzekutivit të ri, me theks të veçantë procesin euroatlantik.
Zaev u zotua për punë, institucione stabile dhe reforma. Në këtë drejtim ai tha se pret që sa më shpejtë vendit t’i hiqet rekomandimi i kushtëzuar për anëtarësim në BE.
“Do të bëjmë gjithçka që t’i plotësojmë pritshmëritë e BE-së, që të kenë arsye të mjaftueshme për ta hequr rekomandimin e kushtëzuar. Jemi duke dakorduar takim me komisarin, Johanes Hahn, dhe ai duhet t’i tregoj pritshmëritë e tij nga qeveria e re. Një kërkesë është realizuar, ndërsa ajo ishte mbajtja e zgjedhjeve. Kishim zgjedhje kredibile dhe po dalim nga kriza politike. Na mbetet vetëm zbatimi i reformave. Ne jemi të përkushtuar në proceset dhe një orë sa më parë të lëvizin gjërat”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Nga ana tjetër, ambasadori, Samuel Zhbogar, mbështeti procesin integrues të vendit, por punën për sa u përket reformave, sipas tij, duhet ta bëjë qeveria.
“Tani është momenti kur puna e vërtetë duhet të fillojë. Të fillohet përmbushja e reformave. Unë në takim kryeministrit ia shpreha gatishmërinë tonë për të ndihmuar, për të përkrahur, ne jemi të gatshëm të ofrojmë udhëzimin e nevojshëm që qeveria t’i zbatojë reformat, por në fund vendimet duhet t’i marrë vetë qeveria”,- theksoi ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Ndryshe, qeveria sot ka realizuar edhe mbledhjen e parë ku pritet shqyrtimi dhe ndryshimi i rreth 30 ligjeve.
Kryeministri, Zoran Zaev, paraprakisht tha se do të shqyrtohen masat për anulimin e taksës radio-difuzive, kthimin e tarifës së lirë të energjisë elektrike, importin e zvogëluar të rrymës dhe pako të masave sociale për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve.
Një pjesë e këtyre masave, sipas Zaevit, do të realizohen menjëherë, derisa për realizimin e pjesës tjetër do të duhet të pritet rishikimi i buxhetit.
NAIM RAMADANI
