Maqedoni
Personeli mekanik në HM në grevë, kërkon pagat dhe rritje të koeficientit të punës
05.06.2017 17:47
Rikthehet greva e të punësuarve në “Hekurudhat e Maqedonisë”...

Personeli i makinistëve të kësaj ndërmarrje sërish bojkoton procesin e punës, duke kërkuar zgjidhje afatgjate të vonesës së pagave të tyre mujore, vlerësim të barabartë të koeficientit të punës për të gjithë të punësuarit në këtë ndërmarrje, uniforma dhe rritje të përqindjes së mëditjeve për festa dhe punës shtesë.
“Me rritjen e fundit të koeficientit për një pjesë të të punësuarve i bërë nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrje u mundësua që personat që mirëmbajnë trenat të kenë pagën mujore gati njësoj si drejtuesit e trenave, gjë që është e pa pranueshme. Ne kërkojmë që të bëhet rivlerësim i ri i vendeve të punës për të gjithë”,- deklaroi kryetari i Sindikatës së Pavarur Makinerike në HM, Dushko Çakarovski.
Por katër sindikatat e tjera në këtë ndërmarrje nuk i mbështetën kërkesat e të punësuarve makinerik, të cilat bashkërisht protestuan tre muaj më parë për paga të rregullta mujore.
“Disa prej kërkesave të personelit mekanik në “Hekurudhat e Maqedonisë” janë astronomike dhe të parealizueshme. Ne vazhdojmë të japim mbështetje për përmirësimin e kushteve të punës, uniforma për të gjithë dhe mundohemi për më shumë punësime të reja në këtë ndërmarrje”,- theksoi përfaqësuesi i të punësuarve, Gjoko Ilevski.
Menaxhmenti i kësaj ndërmarrje vendosi që tre kërkesat që kanë të bëjnë me sigurimin e uniformave të reja, rritjen e përqindjes së mëditjeve për festa dhe punës shtesë deri më 50 për qind, të realizohet gjatë kësaj jave.
Por, për të marrë pagat e muajit prill dhe maj, të punësuarit duhet të fillojnë punën që nesër, kushtëzon ushtruesi i detyrës në “Hekurudhat e Maqedonisë - Transporti”, Korunoski.
“Shlyerja e pagave varet nga ata se a do të kthehen ose jo në vendet e punës. Nëse ata nuk kthehen në punë, rroga nuk do të ketë. Ne planifikuam që pjesa e dytë e rrogës së muajit prill të jepet deri në fund të kësaj jave, por nëse ata vazhdojnë të bojkotojnë procesin e punës kjo gjë nuk do të ndodh. Nëse ata fillojnë punën që nesër, do të kenë kompensim të rrogës për një kilometër të kaluar”,- u shpreh u. d. drejtor i HM-Transporti, Igor Korunoski.
Personeli i makinistëve do të vazhdojë të protestojë deri në përmbushjen e kërkesave.
Kjo ndërmarrje numëron gjithsej 1.100 të punësuar, ndërsa rroga minimale e makinistëve në varësi të përvojës së tyre të punës lëviz prej 28 deri më 32 mijë denarë, pa përllogaritur këtu shtesën e rrogës që e marrin për çdo muaj prej 8 deri më 11 mijë denarë dhe kompensimin për çdo kilometër të kaluar, informojnë nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrje.
REXHEP QAMILI
