Botë

Australi, incident terrorist në Melburn, dy të vdekur

06.06.2017 09:31

Një incident terrorist në qytetin Melburn të Australisë, që përfshinte edhe pengmarrjen, u mbyll me dy të vdekur dhe tre policë të plagosur....

29 vjeçari i identifikuar si Yacqub Khayre, një i sapoliruar me kusht nga burgu,  vrau një njeri në rrugë dhe më pas u mbyll në një apartament ku mori peng një grua. Policia ndërhyri duke e vrarë agresorin.
 
Përpara ndërhyrjes së policisë, ai i telefonoi një televizioni lokal dhe tha: “Kjo është për Shtetin Islamik dhe për Al Kaeden”. Më pas edhe “Shteti Islamik” mori përgjegjësinë për sulmin, por policia ka lënë të hapura për hetim të gjitha pistat. 
 
“E dimë që përgjegjësinë e ka marrë “Shteti Islamik”, por ata gjithnjë të parët marrin përgjegjësi për sulme të tilla, një gjë të tillë e ka bërë edhe “Al Kaeda”, prandaj po hetojmë me kujdes kush në të vërtetë qëndron pas sulmit që po trajtohet si incident terrorist”,- deklaroi kryeshefi i policisë në Viktoria, Graham Ashton.
 
Kryeministri Turnbull tha se sulme të tilla tregojnë nevojën e vigjilencës më të madhe ndaj terrorizmit islamik.
 
“Ky sulm terrorist nga një kriminel i njohur, i sapolëshuar nga burgu me kusht, është një akt shokues për të gjithë. Është një akt terrorist që na tregoi se duhet të jemi gjithnjë vigjilentë e të gatshëm gjithnjë të mbrohemi ndaj terrorizmit islamik”,- u shpreh kryeministri i Australisë, Malcolm Turnbull.
 
Autoritetet po hetojnë nëse pengmarrësi 29-vjeçar, një shtetas australian me origjinë somaleze, mund të jetë shtirur si karrem për të tërhequr policinë në lagjen e pasur Brajton, me qëllim që të përballej me ta.