Maqedoni

Stoltenberg: Dyert për IJRM-në të hapura, zbatoni reformat

06.06.2017 13:33

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se dyert e NATO-s janë të hapura për vendet aspirante...

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se dyert e NATO-s janë të hapura për vendet aspirante, por pranimi në Aleancë kërkon paraprakisht përmbushjen e kushteve të vëna nga NATO-ja. Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina mund të pranohen në NATO nëse i zbatojnë reformat e nevojshme, potencon Stoltenberg. 
 
“Dyert e  NATO-s janë të hapura dhe këtë e provuam me pranimin e Malit të Zi. Vendet duhet të përmbushin reformat, të zbatojnë ligjin, të modernizojnë institucionet e mbrojtjes dhe dyert e NATO-s i kanë të hapura. Punojmë me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe me Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë që t’i realizojnë reformat e nevojshme në rrugën e anëtarësimit në NATO”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Pas pranimit të vendit të tij zyrtarisht në NATO, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Maroviq, është shprehur i gatshëm të ndihmojë edhe Maqedoninë dhe Bosnjë Hercegovinën në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në Aleancë. 
 
“Unë do të doja që edhe Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia ta shpejtojnë procesin e tyre. E dini se Maqedonia shkoi shumë larg, por për shkak të arsyeve të ndryshme ngeci në këtë rrugë. Besoj se tani krijohen rrethanat dhe atmosfera e brendshme në Maqedoni për të ecur me integrime të përshpejtuara, jo vetëm kur bëhet fjalë për NATO-n, por edhe për Bashkimin Europian. Mali i Zi është këtu për ta forcuar, të jetë me Maqedoninë dhe ta mbështesë dhe inkurajojë”,- tha kryeministri i Malit të Zi, Dushko Maroviq.
 
Nga anëtari më i ri i NATO-s, Mali i Zi pritet që të ndajë të paktën 2% nga bruto prodhimi vendor për qëllime ushtarake.  
 
GAZMEND KURTISHI