Maqedoni

“Lagja e trimave”, të akuzuarit bojkotojnë seancën gjyqësore

06.06.2017 13:55

Një pjesë e të akuzuarve për rastin “Lagja e Trimave” kanë vazhduar me bojkotin e seancës gjyqësore, pasi insistojnë në ndërrimin e trupit gjykues...

Të akuzuarit vazhdojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre lidhur me mbarëvajtjen e procesit gjyqësor për shkak të mospranimit të dëshmive plotësuese të propozuara nga pala mbrojtëse.
 
Mospranimi i dëshmive të rëndësishme për rastin vazhdon, thekson avokati mbrojtës, Naser Raufi, sipas të cilit trupi gjyqësor është nën ndikim të madh të prokurorisë. Ai shtoi se provat e avokatëve janë të arsyetuara dhe të propozuara me bazë, ndërkaq rastin mund ta zbardh vetëm një hetim ndërkombëtar.
 
“Kjo që gjykata edhe më tej nuk i pranon këto dëshmi është arsyeja për bojkotin dhe për mua ky bojkot është i arsyetueshëm. Është evidente që trupi gjykues dhe prokuroria janë marrë vesh për mospranimin e provave. Sot u pranuan disa prova që nuk janë të rëndësishme, por u pranuan vetëm për statistikë, pasi nuk pranohet një forenzikë logjistike të zërit të të akuzuarit i cili e mohon që ka qenë pjesëmarrës i transkriptit. Dua të kemi parasysh, e kam cekur edhe më herët këtë punë, që më shumë se gjysma e transkripteve janë me person të panjohur.  Paramendoni se nuk u pranuan provat prej mjekëve neuropsikiatër me arsyetim se nuk janë të rëndësishme, vet gjykatësi e mori rolin e ekspertit neuropsikiatër, e pranoi personin, që d.m.th. jemi të sigurtë që  do ta shfrytëzojë të drejtën e vet, që bëhet fjalë për informata të klasifikuara vetëm të mos dalë se asnjë prej shërbimit sekret nuk është i pranuar”,- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Njëherit i akuzuari, Dem Shehu, potencoi disa herë gjatë seancës se i akuzuari, Besnik Ajdini, nuk është pjesëtar i grupit. 
 
Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 8 qershor.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI