Botë
Sulmi në Londër, policia kufizon hetimin në një person të vetëm
06.06.2017 14:07
Policia në Londër ka mbrojtur vendimin e saj për të kufizuar hetimin mbi sulmin terrorist të së shtunës mbrëma tek një person i vetëm...

Krerët e policisë konfirmuan se 27-vjeçari, Khuram Butt, i lindur në Pakistan, njihej për policinë londineze dhe shërbimet sekrete të brendshme që prej vitit 2015, por asnjëherë nuk kishte pasur të dhëna se ai po organizonte një komplot. Dy pjesëmarrësit e tjerë në sulmin terrorist nuk ishin të njohur për shërbimet e sigurisë.
“Hetimi është fokusuar në nivelet më të ulëta të punës sonë investigative, pasi nuk ka të dhëna që të sugjerojnë se ky sulm ishte i planifikuar gjerësisht”,- deklaroi asistenti i komisionarit në Policinë e Londrës, Mark Roëley.
Të 12 personat e arrestuar të dielën në lidhje me ngjarjen janë liruar pa asnjë akuzë. Oficerët e anti-terrorit kontrolluan sot edhe një pronë në lindje të Londrës, por nuk bënë arrestime. 27-vjeçari Butt dhe dy bashkëpunëtorët e tij vërshuan me një furgon në drejtim të këmbësorëve në urën e Londrës, përpara se të zbrisnin dhe të vrisnin me thikë njerëzit e pranishëm në atë zonë.
Të tre agresorët u vranë më pas nga policia, që i qëlloi për vdekje tetë minuta pasi kishte marrë sinjalizimin për atë që po ndodhte. Nga sulmi, shtatë persona mbetën të vrarë dhe 48 të plagosur. Nga të dhënat e fundit rezulton se 36 persona janë ende në spital, 18 prej të cilëve në gjendje kritike.
