Maqedoni

Lëvizja “Besa”: të procedohen sa më parë “Monstra” dhe “Sopoti”

06.06.2017 14:46

Lëvizja “Besa” kërkon që sa më shpejt të procedohen rastet e montuara ndaj shqiptarëve, “Monstra” dhe “Sopoti”...

Nga “Besa” kanë rikujtuar kryeministrin Zoran Zaev se publikisht ka deklaruar që ekzistojnë dëshmi se shqiptarët janë viktimë e këtyre proceseve të montuara.
 
“Zaev nuk po ndërmerr asgjë për këto raste dhe drejtësia është duke u vonuar”,- vlerësojnë nga “Besa”.
 
“Çdo ditë e kaluar është krim i pafalshëm që shteti ushtron ndaj këtyre qytetarëve derisa ekzistojnë të gjitha mekanizmat për të zbardhur e vërteta e plotë. Ky ishte edhe premtimi i Zoran Zaevit për votuesit shqiptarë, i cili deklaroi se një prej veprimeve të para që do të ndërmarrë do të jetë ndriçimi i plotë i këtyre rasteve. Megjithatë, përtej këtyre deklarimeve, të gjithë ishim dëshmitarë se kërkesa e parë e kryeministrit, Zoran Zaev, drejtuar Prokurorisë Speciale nuk ishte procedimi i rasteve “Monstra” dhe “Sopoti”, por verifikimi i të kaluarës së ministrave nga radhët e BDI–së, disa prej të cilëve ishin edhe pjesë e kabineteve qeveritare që montuan këto raste politike”,- u tha nga Lëvizja “Besa”.
 
Nga kjo parti po ashtu theksojnë se “PPS u tregua shumë e shkathtë dhe iu mjaftuan vetëm 24 orë për verifikimin e të kaluarës së ministrave të BDI–së, kërkojmë dhe presim që me të njëjtën urgjencë të procedohen edhe rastet “Monstra” dhe “Sopoti”, për të cilat ka prova të shumta që e konfirmojnë pafajësinë e shqiptarëve të cilët padrejtësisht mbahen nëpër burgje”.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU