Maqedoni
Vërshimet në Tetovë, KMK: Të aktivizohen institucionet
06.06.2017 15:03
Vërshimet në Tetovë, gjegjësisht përmbytjet në fshatin Poroj, kanë alarmuar Komitetin për Menaxhim me Kriza...

Në mbledhjen e mbrëmshme të këtij komiteti është shqyrtuar gjendja dhe pasojat nga vërshimet në disa pjesë të Tetovës dhe është kërkuar nga institucionet kompetente menjëherë të ndërmarrin aktivitete me qëllim të normalizimit të situatës.
“Zyra për Mbrojtje dhe Shpëtim, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës dhe Shtabin Rajonal për Menaxhim me Kriza, menjëherë t’i ndërmarrë aktivitetet për sanimin dhe pastrimin e terrenit që është bllokuar si pasojë e vërshimeve të fuqishme në Tetovë”,- thuhet në kumtesën e Komitetin për Menaxhim me Kriza.
Njëherit nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve kërkohet që të bëhet plani aksional detal me aktivitete punuese sipas institucioneve, në drejtim të pastrimit në terren pas vërshimeve të fuqishme në Tetovë, me theks të veçantë dy urat e rrënuara.
“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ministria për Transport dhe Lidhje, dhe nëse është e nevojshme të angazhohet edhe mekanizimi nga Armata e Republikës së Maqedonisë, me qëllim të normalizimit të gjendjes në terren”,- thuhet në kumtesën e Komitetin për Menaxhim me Kriza.
Nga ky komitet thonë se Komuna e Tetovës, në bashkëpunim me komunat fqinje, menjëherë duhet të sigurojë mekanizim, shfrytëzim të resurseve dhe mekanizmave në drejtim të pastrimit të terrenit dhe normalizimin e gjendjes në zonat e përmbytura.
ERSAN PAJAZITI
