Maqedoni

Komunikacioni hekurudhor i bllokuar, HM - Transporti dhe makinistët nuk gjejnë zgjidhje

06.06.2017 15:48

Komunikacioni hekurudhor në Maqedoni është i bllokuar për shkak të grevës së personelit mekanik në Ndërmarrjen Publike “Hekurudhat e Maqedonisë-Transporti”....

Për shkak të grevës nuk janë në qarkullim si trenat për qarkullimin e udhëtarëve ashtu edhe ata për transportin e mallrave. Nga Sindikata thonë se grevistët insistojnë në kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me rritjen e koeficientit të punës në 3.0 dhe rroga të rregullta mujore. 
 
“Ne vazhdojmë të protestojmë deri në plotësimin e kërkesave që kemi. Komunikacioni hekurudhor në vend mbetet tërësisht i bllokuar përveç linjës ndërkombëtare Shkup-Beograd-Sofje dhe kështu do të vazhdojë të jetë deri sa nuk gjejmë gjuhë të përbashkët me menaxhmentin e kësaj kompanie dhe Ministrinë e Transport dhe Lidhjeve për nevojat që kemi”,- deklaroi kryetari i Sindikatës së pavarur të HM - Transporti,  Dushko Çakarovski.
 
Me rritjen eventuale të pagave për 150 të punësuarit mekanik, kompania do të kishte  rreth 500 mijë denarë shpenzime shtesë në muaj, gjë që sipas grevistëve kjo është e realizueshme. Por, kështu nuk mendojnë drejtuesit e kësaj ndërmarrje. Oferta e fundit e tyre, që nuk u pranua nga të punësuarit mekanikë, është rritje e koeficientit të punës në 2.85. Çdo qindarkë tjetër do t’i pësonte dëme financiare kompanisë, paralajmërojnë nga kjo kompanie.
 
“Ne nuk jemi kundër rritjes së pagave. Ne fuqimisht angazhohemi për ta konsoliduar këtë ndërmarrje, për t’ua rritur gradualisht rrogën të punësuarve, por në këtë moment ne u ofruam atyre rritje të koeficientit të punës prej 2.7 në 2.85 për makinistët. Gjë që është e mjaftueshme dhe në interesin e të dyja palëve. Po ashtu ata urgjentisht duhet të kthehen në punë dhe të ndërpresim humbjet financiare nga bojkoti i tyre”,- deklaroi u. d. drejtor i HM-Transporti, Igor Korunoski.
 
Edhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Sugaravski, vlerësoi se ky propozim duhet të pranohet nga të punësuarit dhe të ndërpritet greva.
 
“Propozimi ynë i rritjes së koeficientit të punës në 2.85 është e përshtatshme dhe e realizueshme. Andaj mendoj se ky propozim duhet rishikuar dhe pranuar nga të punësuarit”,- u shpreh ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski.
 
Menaxhmenti gjithashtu pranoi kërkesat e të punësuarve që kanë të bëjnë me sigurimin e uniformave të reja, rritjen e përqindjes së mëditjeve për festa dhe dhanë garanci se menjëherë pasi që të punësuarit kthehen në punë deri në fund kësaj jave do t’ia shlyejnë pjesën e dytë të rrogës së prillit. Përndryshe, rroga e makinistëve në “HM - Transporti”, në varësi të përvojës së tyre të punës, lëviz prej 28 deri më 32 mijë denarë pa përllogaritur këtu shtesën e rrogës që e marrin për çdo muaj prej 8 deri më 11 mijë denarë kompensimin për çdo kilometër të kaluar.
 
REXHEP QAMILI