Maqedoni
Përmbytjet në Poroj, u dëmtua ujësjellësi, banorët kanë nevojë për ujë
06.06.2017 16:14
Pas përmbytjeve të fundit në Poroj të Tetovës, banorët po bëjnë bilancin e parë të dëmeve të shkaktuara...

Shtëpi plot baltë, dy ura të shkatërruara, rrugë të bllokuara, kulturat bujqësore të prishura etj.
Problemi kryesor i një pjese të madhe të banorëve të fshatit Poroj janë rrugët e bllokuara, por nuk është vetëm kjo, problemi më i madh është që një pjesë e madhe e shtëpive të këtij fshati është pa ujë të pijshëm, ata kërkojnë nga autoritet që sa më shpejtë të bëjnë një zgjidhje.
“Problemi kryesor është, siç e shini, rrugët e bllokuara, ujë nuk kemi, Ramazan tash, uji është ndërprerë, nuk kemi si të kalojmë andej pa u pastruar rrugët, pa ardhur uji, s’keminga të lëvizim, pastërtia duhet, Ramazan tani dhe na duhet ujë”,- u shpreh një banor.
“Nuk ka ujë, duhet tani t’ia prishim oborrin ndonjërit, të fusim ekskavatorin e t’i sjellim ujë banorëve për pije. Më problem kemi ujin, do i lëmë anash rrugët, uji është kryesorja. Më alarmante është uji”,- theksoi një banor.
“Siç e shihni, dëme ka plot. Ujë nuk kemi, i tërë fshati nuk ka ujë për të pirë, nuk e di pse nuk sjellin ujë. Ujë nuk kemi, rryma dje u ndal, dy orë erdhën e rregulluan. Për ujë kemi nevojë”,- tha një banor.
“Poshtë tek ferma i kam mbushur, nuk kemi aspak ujë, është dëmtuar lart, s’kemi aspak, pikë uji s’kemi. Kërkojmë ndihmë të na rregullohet uji”,- potencoi një banor.
Autoritetet po punojnë në mënyrë intensive për t’u gjetur gypat e shkatërruara të sistemit të ujësjellësit që t’i riparojnë urgjentisht në mënyrë që të rikthejnë ujin në shtëpitë e banorëve.
Aktualisht, Ndërmarrja Publike Komunale do të furnizojë banorët me ujë të ambalazhuar, pasi cisternat nuk janë higjienike.
“Ne dërgojmë ujë me cisternë, por ai nuk është i pijshëm, ne po bëjmë çmos që me anë të kompanive që dërgojnë ujë për pije të ambalazhuar, besoj se para iftarit do të arrijë. Ajo çka un dua të ceki është se ne bëjmë përpjekje për të gjetur tubacionin e ujit i cili është dëmtuar nga rrëshqitja e dheut”,- u shpreh drejtori i NPK “Tetova”, Xhelal Ceka.
Shtabi i krizës ka filluar pastrimin paraprak të lumit nga rruga.
Nga mëngjesi veç më janë angazhuar disa ekskavatorë dhe kamionë për këtë qëllim, por banorët ankohen se pastrimi ecën ngadalë.
Lumi në Poroj dekadave të fundit është kthyer në ankth për banorët.
Ata edhe një herë kërkojnë nga institucionet që të marrin seriozisht rregullimin e shtratit dhe vendosjen e digave mbrojtëse mbi fshatin Poroj.
VISAR SADIKI
