Maqedoni

Osman Kadriu: reforma urgjente në drejtësi; Rastet e montuara, Kadriu: kuadrot cilësorë mund t’i zbardhin rastet

06.06.2017 17:23

Qeverinë e re e pret shumë punë në mënyrë që të kthejë besimin e qytetarëve në institucionet e vendit...

Qeverinë e re e pret shumë punë në mënyrë që të kthejë besimin e qytetarëve në institucionet e vendit, sidomos në gjyqësor, vlerëson eksperti juridik, Osman Kadriu.
 
Ai pret reforma thelbësore në gjyqësor, pasi që konsideron se kriza juridike ka prodhuar krizën politike në Maqedoni.
 
“Qytetarët në tërësi e kanë humbur besimin, besimi tek gjyqësori është zero për qind. Ky besim që të kthehet te qytetarët kërkohet punë, ndërsa puna duhet të përfundojë me rezultate të duhura duke filluar nga reformat në gjyqësi. Pa reformat në gjyqësi por reforma thelbësore, cilësore radikale ne nuk mund të presim që gjyqësori të ngel në nivel të detyrës, të realizohet funksioni i gjyqësorit në Maqedoni dhe me atë  të jepet një kontribut që Maqedonia të dalë nga kriza politike, ndërsa që të dalë nga kriza politike duhet të dalë nga kriza juridike. Ne kemi krizë të thellë juridike në Maqedoni”,- deklaroi eksperti juridik, Osman Kadriu.
 
Që të jenë në nivel të kompetencave kuadrot në gjyqësor duhet të jenë para së gjithash ekspertë të dalluar dhe të mos jenë të përfshirë në afera të ndryshme korruptive.
 
Kjo veti deri më tani nuk është respektuar nga organet për emërimin e tyre, sqaron Kadriu.
 
Nëse sigurohen kuadro cilësore, atëherë ato do të kenë kapacitet të përballen edhe me rastet e motuara që vite me radhë zvarriten në gjyqësor, thotë ai.
 
“Në qoftë se kemi ndryshime kadrovike në gjyqësor, bazë të përgjegjësisë, patjetër atëherë të sigurohen kuadro adekuate. Me ndryshimet kadrovike ne do të fitojmë një strukturë në drejtësi, e cila do të garantojë se edhe këto procese për të cilat flasim se janë pastër të montuara nuk kanë përfunduar, ato do të kenë kapacitet, kondicion dhe vullnet në qoftë se gjykojnë në bazë të kushtetutës dhe ligjeve që këto raste të ndriçohen. Këtu kemi rastin e “Kumanovës”, “Brodecin”, “Sopotin”, rastin në liqenin e Smillokovës (“Monstrës”) dhe shumë procese të tjera”,- theksoi eksperti juridik, Osman Kadriu.
 
Për rastet në fjalë në të cilat numri më i madh i të përfshirëve janë shqiptarë, eksperti Kadriu përgjegjësi të veçantë iu hedh edhe gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë si dhe anëtarëve në këshillin gjyqësor dhe të prokurorëve.
 
Ata, sipas tij, duhet të jenë të zëshëm të distancohen dhe të kërkojnë përgjegjësi prej kolegëve të tyre për rastet e tilla.
 
NAIM RAMADANI