Maqedoni
Pushimi i lindjes do të jetë 18 muaj
06.06.2017 18:13
Pushimi i lindjes sipas të gjitha gjasave do të zgjatet nga 9 në 18 muaj...

Deputetët e shumicës dhe opozitës u zotuan se do të marrin nismë për ndryshimin e Ligjit për marrëdhënie pune në pjesën që ka të bëjë me pushimin e lindjes.
“Anëtarët e Komisionit u pajtuan se ka nevojë për ndryshimin e Ligjit për marrëdhënie pune dhe për të shkurtuar afatet e nevojshme për dorëzimin e nismave civile, u pajtuan që të mbështesin propozim për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhënie pune në pjesën e pushimit të lindjes”,- deklaroi kryetari i Komisionit, Aleksandar Kiracovski.
Angazhimi u ndërmor në Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, ku u shqyrtua iniciativa civile e mbi 200 qytetarëve me propozim për miratimin e Ligjit për ndryshimin e Ligjit për marrëdhënie pune, së bashku me Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për marrëdhënie pune.
Meqë në dokumentin ku ishin nënshkruar qytetarët që mbështesin këtë nismë qëndron se mbështesin nismën për ndryshimin e Ligjit për pushim të lindjes, ndërkaq një ligj i tillë nuk ekziston në sistemin juridik, deputetët e shumicës dhe opozitës, anëtarë të Komisionit për Sistem Politik, pranuan idenë për zgjatjen e pushimit të lindjes nga 9 në 18 muaj, por jo edhe nismën, për shkak të aspektit formal juridik.
Konform Kushtetutës dhe Rregullores për punë të Kuvendit, të drejtë për të propozuar miratim të ligjit ka çdo deputet i Kuvendit, Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe së paku 10.000 zgjedhës.
SHPËTIM NUREDINI
