Botë

Shqipëri, vazhdon fushata zgjedhore dhe akuzat mes partive

06.06.2017 18:52

Në kulmin e fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit, kryeministri, Edi Rama, është takuar me banorët e Tropojës...

Në kulmin e fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit, kryeministri, Edi Rama, është takuar me banorët e Tropojës - bastion i partisë demokratike dhe vendlindja e liderit historik të PD-së, Sali Berisha.
 
Rama ftoi votuesit të votojnë për partinë socialiste edhe pse tha se i mirëkuptonte se zemrën e kanë te ish-kryetari demokrat.
 
“Tani jemi në një fazë të mirë politike ku gjithë demokratëve jua kemi dhënë shembullin se ata nuk janë armiqtë tanë, absolutisht nuk janë armiqtë tanë. Kush jua shpëtoi Lulin, Saliu apo unë? Kush jua nxori partinë nga çadra, Saliu apo unë? Jua dhamë ne të drejtën që më 25 qershor të mos rrini në shtëpi”,- deklaroi kryetari i PS-së, Edi Rama.
 
Ndërsa kundërshtari i tij politik ka deklaruar gjatë një takimi me banorët e Tiranës se Rama dhe Meta në 4 vite u sollën si aktorë telenovelash dhe se ai do të jetë kryeministër i denjë për shqiptarët.
 
“Për daljen nga kriza, Partia Demokratike vjen në këto zgjedhje me një program që synon rritjen ekonomike, uljen e taksave, hapjen e vendeve të reja të punës, anulimin e koncesioneve korruptive dhe atë të taksës së karburantit dhe investime në shëndetësi e arsim”,- u shpreh kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
 
Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, fushata në Shqipëri është zbutur ndjeshëm, duke u përqendruar në sulmet kundër partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.
 
Rama dhe Basha i kanë ulur ndjeshëm tonet akuzuese ndaj njëri-tjetrit, duke mos e përjashtuar mundësinë e një koalicioni pas zgjedhjeve.
 
Ndërsa paralelisht kanë rritur tonet ndaj Ilir Metës, i cili aktualisht është në koalicion qeverisës me Edi Ramën. Situata është rënduar me shkarkimet nga puna të drejtorëve të LSI-së për pjesëmarrje në fushatë elektorale gjatë orarit të punës.
 
LULJETA NDOKA