Botë

Sulmi në “Notre Dame”, identifikohet agresori, ishte student doktorature

07.06.2017 09:31

Agresori 40-vjeçar, që dje sulmoi me çekiç efektivët e policisë përpara Katedrales “Notre-Dame” në Paris...

Agresori 40-vjeçar, që dje sulmoi me çekiç efektivët e policisë përpara Katedrales “Notre-Dame” në Paris, është identifikuar si Farid Ikken, me origjinë algjeriane, i cili vazhdonte studimet e doktoraturës për Shkenca Sociale në Universitetin e Lorenës.
 
Përpara se të godiste policin, 40-vjeçari ka thirrur me të madhe: Kjo është për Sirinë! I martuar me një suedeze, ai jetonte në veri të kryeqytetit francez. Në banesën e sulmuesit, policia ka gjetur një video ku Ikken betohej për besnikëri ndaj “Shtetit Islamik”, e ku tregohej edhe qëllimi i kryerjes së atentatit.
 
Deri tani, megjithatë, asnjë grup xhihadist nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë e incidentit. Episodi ngjalli panik mes njerëzve në zonë. Franca është tronditur prej gati dy vitesh e gjysmë nga një seri e pashembullt sulmesh terroriste, prej të cilave kanë gjetur vdekjen në total gati 240 persona, e jo rrallëherë shënjestra kanë qenë forcat e rendit.
 
Në mesin e muajit prill, një polic u vra nga një atentator në mesin e shëtitores së famshme “Champs-Élysées”.