Botë

Iran, sulmohet parlamenti, 10 të vdekur, ISIS merr përgjegjësinë

07.06.2017 09:59

Persona të armatosur kanë hapur zjarr ndaj ndërtesës së Parlamentit iranian dhe varrit të Ajatollahut Khomeini, duke shkaktuar të paktën 10 të vdekur e 35 të plagosur...

Sulmi është marrë përsipër nga “Shteti Islamik” përmes faqes së tyre “Amaq”. Raportet e deritanishme tregojnë se bëhet fjalë për një kamikaz dhe disa agresorë të tjerë të armatosur. Atentatori vetëvrasës, nga sa pohojnë dëshmitarët në vendngjarje, e hodhi veten në erë përpara një banke pranë mauzoleumit. Të tjerë u plagosën kur ndërtesa e parlamentit u sulmua nga katër atentatorë të armatosur me kallashnikovë dhe pistoleta “Colt”.
 
“Isha në spital dhe pas nja dy minutash dëgjova të shtënat. Më pas erdhi policia dhe bllokoi rrugët”,- deklaroi një dëshmitar i sulmit.
 
“Ishim atje kur dëgjuam policinë që tha se pesë njerëz kanë hyrë brenda në parlament dhe po gjuajnë. Ne vetë pamë një roje që e qëlluan në kokë. Pastaj e morën dhe e dërguan në spital. Njerëzit thonë se është sulm nga ISIS, por nuk e di nëse është e vërtetë”,- theksoi një dëshmitar i sulmit. 
 
Mësymja e mauzoleumit disa kilometra më në jug ndodhi në të njëjtën kohë. Goditjet duket se kanë qenë të koordinuara. Sulmet terroriste në Iran janë tejet të rralla, sidomos në kryeqytetin e kontrolluar rreptësisht të vendit, ku zonat qeveritare e ato të vizituara nga turistë mbrohen nga forca të shumta policore.
 
Kontrolli i armëve është gjithashtu shumë i ashpër, gjë që do të thotë se agresorët me shumë gjasë i kanë siguruar armët e tyre nëpërmjet kontrabandës nga jashtë. Irani me shumicë shiite është përfshirë në aksionet ushtarake kundër grupeve terrioriste sunite, siç është “Shteti Islamik”, të cilët i konsiderojnë shiitët si femohues.
 
BELINDA KOKA-ADEMI