Botë

ShBA, rusët e prodhuan krizën e Katarit me “Fake News”

07.06.2017 10:58

Të hënën, tetë shtete - Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Egjipti dhe Jemeni dhe Qeveria e përkohshme e Libisë...

Të hënën, tetë shtete - Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Egjipti dhe Jemeni dhe Qeveria e përkohshme e Libisë, Maldivet dhe Mauriciusi, - i ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar se po mbështet ekstremistët islamikë dhe Iranin shiit. Disa vende kumtuan se kanë ndërmarrë edhe masa të tjera, përfshirë edhe ndërprerjen e lidhjeve transportuese, marrëdhëniet ekonomike dhe financiare, dhe ndërprerjen e operacioneve bankare. Por, hetuesit amerikanë besojnë se hakerat rusë hynë pa u diktuar në Agjencinë Shtetërore të Lajmeve, në Katar, dhe vendosën një raport të rremë, që kontribuoi në krizën mes aleatëve amerikanë në Gjirin Persik.
 
Sipas CNN-së, FBI ka dërguar një ekip hetuesish në Katar për të ndihmuar qeverinë e këtij vendi, që të hetojnë sulmin kibernetik. Të dhënat e mbledhura nga ShBA tregojnë se piratët informatikë rusë ishin pas sulmit kibernetik, që u raportua nga qeveria e Katarit dy javë më parë. Kjo përfshirje e pretenduar e hakerave rusë shton shqetësimet e agjencive amerikane se Rusia vazhdon të sulmojë në mënyrë kibernetike, me mënyrat që përdori për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane në vitin 2016. Sipas zyrtarëve amerikanë, duket se qëllimi rus është të krijojë tensione mes ShBA-ve dhe aleatëve të saj. Nuk është e qartë nëse hakerat që kanë sulmuar Katarin janë nga organizata kriminale apo nga shërbimet e inteligjencës ruse, por një zyrtar amerikan tha për CNN se në Rusi vështirë se ndodh gjë pa lejen e qeverisë.
 
Ndërkohë, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka kundërshtuar përpjekjet e vendeve të lartëpërmendura për izolimin e Katarit, përfshirë edhe urdhërimin e sanksioneve. Kjo nuk do t'i zgjidhë problemet, tha Erdogan, duke shprehur angazhimin e Ankarasë që të bëjë gjithçka që është e mundur për tejkalim të krizës.