Maqedoni

Në 2019 buxheti aktual, Zaev: nuk është 130 mln, por vetëm 6 mln euro; VMRO-DPMNE demanton Zaevin: kishte 130 mln euro në buxhet, ku shkuan 124 mln?

07.06.2017 12:10

Kryeministri, Zoran Zaev, shpalosi prioritetet ekonomike të ekzekutivit që drejton...

Në përballjen me gazetarët në TVM, Zaevi tha se ekipi i tij do të përqendrohet fuqishëm në reformat ekonomike, e sidomos në përmbushjen e premtimeve dhënë qytetarëve për rritjen e rrogës mesatare. Rroga mesatare prej 500 eurove me këtë buxhet shtetëror do të bëhet realitet vetëm në vitin 2019, tha Zaevi.
 
“Unë besoj se deri në vitin 2019 rroga mesatare do të jetë 30 mijë denarë dhe rroga minimale prej 16 mijë denarësh do të realizohet deri në fund të mandatit të kësaj qeverie”,- deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
 
Zaevi u ankua se qeveria e kaluar ka zbrazur buxhetin, madje edhe se ka paraqitur borxh publik më pak sesa është aktualisht. Sipas të dhënave të papërfunduara, borxhi i fshehtë kalon shifrat e 1 miliard eurove.
 
“Janë kaluar të gjitha limitet për likuidimin e buxhetit, në buxhet nuk ka 130 milion euro por janë vetëm 6 milion euro. Borxhi publik ka kaluar limitin në tavan prej 50 për qind nga BPV. Ka borxh të fshehur që nuk është evidentuar në borxhin e përgjithshëm të vendit. Është borxh ky që kalon mbi 1 miliardë, por këto janë vetëm informacione jo të kompletuara”,- theksoi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
 
Por, VMRO i ka mohuar të dhënat e tilla të dhëna nga kryeministri Zaev.
 
“Qeveria e re e LSDM-së në buxhet mori 130 milionë euro, vetëm nëse Zaevi në mënyrë të pavetëdijshme deshi të pranojë se 124 milionë euro janë zhdukur në mënyrë misterioze”,- thuhet në reagimin e VMRO-së.
 
Partia e Gruevskit hedh poshtë edhe të dhënat për borxhin publik të bëra publike nga kryeministri. Sipas tyre, borxhi publik nuk i ka kaluar 50% të BPV-së dhe mohojnë se i kanë lënë ekzekutivit të ri borxh të fshehtë prej 1 miliardë eurosh. 
 
GAZMEND REXHEPI