Maqedoni

Zbatimi i reformave, Hahn: Priebe dhe ekspertët, së shpejti në Shkup

07.06.2017 14:24

Kryeministri Zaev të hënën do të vizitojë zyrtarisht Brukselin për të diskutuar rreth reformave të domosdoshme që duhet të ndërmerren nga ekzekutivi i ri...

Kryeministri Zaev të hënën do të vizitojë zyrtarisht Brukselin për të diskutuar rreth reformave të domosdoshme që duhet të ndërmerren nga ekzekutivi i ri, për të përmirësuar jetën e qytetarëve në vend dhe për ta afruar atë më pranë BE-së.
 
Komisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, ka paralajmëruar ndërkohë se së shpejti Maqedoninë do ta vizitojë komisioni prej ekspertëve ligjorë të udhëhequr nga Reinhard Priebe, për të detektuar mangësitë në zbatimin e reformave të mëhershme të Raportit të Priebe-së dhe për të vlerësuar situatën aktuale në lidhje me reformat e reja urgjente që duhet të ndërmarrë  Qeveria e re. 
 
“Si pjesë e gatishmërisë së Bashkimit Europian për punë dhe përkrahje të Qeverisë së re në rrugën për reforma, unë sërish do të dërgoj një grup prej ekspertëve ligjorë të udhëhequr nga Reinhard Priebe, drejtor i komisionit, që ta ndihmojnë dhe këshillojnë Qeverinë e re për sistemim të sundimit të ligjit”,- thuhet në njoftimin e Johanes Hahn.
 
Ky grup do të përfshijë të njëjtët ekspertë të grupit të mëhershëm që përgatiti rekomandimet në lidhje me përgjimet e publikuara në vitin 2015 dhe që kontribuoi në përpilimin e reformave urgjente prioritare të cilat u shkrinë në Marrëveshjen e Përzhinës. Por, ende është e paqartë data se kur Priebe dhe ekspertët e tij do të vijnë në Shkup. Hahn thotë vetëm se do të jetë shumë shpejt.
 
“Grupi i ekspertëve të lartë do ta vizitojë Maqedoninë sa më shpejt, që të bëjë analizë të situatës aktuale, të ndjekin të arriturat nga rekomandimet e mëhershme dhe si t’i drejtojnë mangësitë në sistemimin e roleve për sundim të ligjit, në të cilin ka pasur kthesë gjatë viteve të fundit”,- thuhet në njoftimin e Johanes Hahn.
 
Hahn edhe njëherë shprehu përkushtimin për bashkëpunim me Qeverinë dhe opozitën e re me qëllim të kthimit të Maqedonisë në rrugën eurointegruese të cilën e meritojnë dhe e duan qytetarët.
 
GYLTENE SINANI