Maqedoni
Ndërpritet greva në HM, marrëveshje për koeficientin dhe rrogat
07.06.2017 14:42
Normalizohet komunikacioni hekurudhor në vend. Personeli mekanik në “Hekurudhat e Maqedonisë - Transporti”...

Normalizohet komunikacioni hekurudhor në vend. Personeli mekanik në “Hekurudhat e Maqedonisë - Transporti”, menaxhmenti dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve u dakorduan që të ndërpritet greva e makinistëve dhe pjesërisht të plotësohen kërkesat e tyre.
Grevistët pranuan fillimisht rritjen e koeficientit të punës në 2.85, rritjen prej 35% të mëditjeve për punë natën dhe për të dielat, për ditët e festave 50%, si dhe u arrit marrëveshje për pagesën e rrogave të mbetura për muajt prill dhe maj.
Të dy palët kanë rënë dakord që të përmirësohen edhe kushtet e punës për të punësuarit.
“Përqindja e pagave të punonjësve deri tani ka qenë e tillë për shkak të masave anti-krizë të ndërmarra nga qeveria e kaluar. U dakorduam përfundimisht që të ketë rritje të koeficientit të punës për 2.85 dhe shtesa në rroga, ndërsa për të gjitha kërkesat e tjera të mbetura u dakorduam që t’i zgjidhim me debat në të ardhmen”,- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski.
Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushevi, beson se ndërmarrjet publike mund të shndërrohen në më profitabile, duke u mundësuar sa më shumë punë, por për ta bërë këtë paraprakisht duhet gjetur mënyrën efikase për të arritur këtë qëllim.
Ai nuk përjashton mundësinë të ketë edhe liberalizimin e tregut hekurudhor në Maqedoni.
“Ka ide në drejtim të asaj që të bëhet liberalizimi i transportit hekurudhor në Maqedoni. Kjo do të thotë se ekziston mundësia që në të ardhmen e gjithë infrastruktura hekurudhore të mbetet e shtetit, por njëkohësisht mund të ndodhë që të kemi më shumë kompani hekurudhore për transport, të cilat do të punojnë për t’u mundësuar konkurrencë më të madhe te ne, mirëpo kjo mund të ndodhë pa e dëmtuar interesin shtetëror”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Greva e personelit mekanik është e dyta me radhë në Hekurudhat e Maqedonisë për këtë vit.
REXHEP QAMILI
