Maqedoni
Përmbytjet në Poroj, banorët kërkojnë sanimin e urës; Arifi: punojmë për ujësjellësin dhe pastrimin e rrugëve; Nikollovski: bujqit të paraqesin dëmet, do të dëmshpërblehen
07.06.2017 15:05
Rruga Tetovë-Jazhincë vazhdon të mbetet e bllokuar pas vërshimeve të së hënës...

Banorët e Porojit kërkojnë urgjentisht sanimin e urës, pasi shumë shtëpi janë të bllokuara nga balta dhe banorët kanë mbetur pa pasur se ku të shkojnë. Komuna e Tetovës po bën furnizimin me ujë për pije, por banorët thonë se ura është prioriteti kryesor.
“Kanë sjellë ujë sot pak, mirë është situata, ka edhe lagje tjera që janë pa ujë ende. Ura duhet urgjentisht, se këtu ne s’kemi nga të kalojmë, vetëm këtu e kemi një rrugë, kjo është e gjitha, nëpër shtëpi hymë e dalim. Ura urgjentisht duhet, se s’kemi çka bëjmë”,- theksoi një banor.
“Se nja dy ditë na kanë sjellë ujë, faleminderit, dje dhe sot kanë sjellë. Ura urgjentisht duhet të ndërtohet, edhe atje më lart kemi një urë më të vogël, edhe atje duhet të ndërtohet, pasi nja dhjetë shtëpi kemi mbetur të mbyllur, nuk kemi nga të kalojmë, ka lum vetëm këtu”,- deklaroi një banor.
“Po, kanë sjellë ujë, janë të furnizuar banorët me ujë të pijshëm. Më prioritet tani është rregullimi i urës, se pa atë urë jemi të bllokuar komplet dhe rregullimi i ujësjellësit na duhet, tek rregullimi i ujësjellësit punohet por tek ura jo”,- potencoi një banor.
Autoritetet lokale dhe qendrore edhe sot qëndruan në Poroj. Premtuan se rrugët do të zhbllokohen shumë shpejt dhe do të marrin masa për rregullimin e urës. Ministri i Bujqësisë u kërkoi bujqve të paraqesin dëmet e shkaktuara.
“Siç e dini, te rasti i urave do të punojmë intensivisht që të bëjmë një kalim, ndërkohë që do kërkojmë vendim nga qeveria sa i përket Ministrisë së Mbrojtjes që urat t’i bëjmë në formën në të cilën ka qenë edhe përpara, ndërkohë që t’u lehtësohet kalimi. Punojmë intensivisht, ndërsa ekipet e NPK-së janë duke punuar për sanimin e kanalit të ujësjellësit dhe kjo është më rëndësi”,- tha kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
“Jam i kënaqur që komisionet i kryen vlerësimet dhe tani i ftojmë bujqit që t’i paraqesin dëmet e tyre dhe sipas asaj që na obligon ligji, banorët duhet të jenë të bindur që do bëjmë çmos për kthimin e jetës në normalitet dhe sipas procedurës të bëhet dëmshpërblimi i të gjithë të dëmtuarve”,- theksoi ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski.
Banorët edhe njëherë kërkuan nga autoritetet që të rrisin kapacitetin e makinerive, pasi këto aktualet sipas tyre nuk janë të mjaftueshme për të zhbllokuar.
Kryetarja e Tetovës pret që qeveria sa më shpejt të sjellë vendimet e duhura në lidhje me kërkesat e vazhdueshme të komunës për projektet që kanë si synim parandalimin e fatkeqësive të tilla me pastrimin dhe zgjerimin e shtretërve të lumenjve të zonës.
VISAR SADIKI
