Maqedoni

Pritjet nga qeveria e re, debat në “Argument”

07.06.2017 16:03

Përfaqësimi i gruas në pozitat udhëheqëse në përbërjen e qeverisë së re është në nivel shumë të ulët....

Panelistët në “Argument” në TVM2 kritikojnë partitë shqiptare në ekzekutivin e ri të cilat nuk kanë asnjë femër shqiptare në eshalonin e parë të ekzekutivit. Politikologja, Gjyla Çeliku, tha se Këshilli nacional i barazisë gjinore dhe Këshilli i forumit të gruas së pavarur kanë kërkuar nga liderët politikë përfaqësim të  drejtë të gruas në pozitat e larta të ekzekutivit. Për profesoreshën Çeliku gratë janë më të përgjegjshme në profesion dhe më pak të korruptueshme.    
 
“Ne njëherë duhet t’i civilizojmë dhe modernizojmë burrat për të marrë ne vendin tonë aty ku jemi. Miliona fonde fitohen nga BE ne emër të gruas, pse mos të shfrytëzohen ato nga ne në dobi të gruas dhe në dobi të shoqërisë. Faji tjetër është edhe te përfaqësuesit politikë shqiptarë të cilët nuk kanë bashkëpunuar absolutisht me gruan,  gruan e kanë shfrytëzuar vetëm atëherë ku kanë pasur nevojë për votë”- deklaroi profesoresha universitare, Gjyla Çeliku.
 
Përfaqësuesja e shoqërisë civile, Luljeta Ademi, tha se mospërfaqësimi i mjaftueshëm i femrës në pozitat udhëheqëse në shoqëri ndodh edhe me fajin e tyre. Ato nuk luftojnë mjaftueshëm për të dëshmuar aftësitë e veta në shoqëri dhe të kërkojnë fuqishëm atë që u takon.
 
“Atje ku bëhen debate, atje ku ngrihet zëri, gratë shqiptare mungojnë. Jo që na mungojnë kuadrot, por jemi ato zëra që duhet të dëgjohemi edhe atë profesioniste të denja me meritë, jo profesioniste me tituj të blerë  dhe jo ato të koluareve partiake, ato janë të padukshme, ose veprojnë në rrethin më të ngushtë ose dorëzohen shumë shpejt”,- theksoi aktivistja e shoqërisë civile, Luljeta Ademi.
 
Temë debati në “Argument” ishin edhe pritjet në sferat e tjera nga qeveria e re, reformat në jurisprudencë, rikthimin e besimit në sistemin gjyqësor dhe institucionet në përgjithësi. Padyshim edhe afati i Prokurorisë Speciale ngjalli debat. 
 
“Nëse Prokurorisë Speciale nuk i vazhdohet mandati, ajo në mënyrë komode mund të kthehet në kuadër të Prokurorisë Themelore ekzistues,e ku në kuadër të saj të formohet departamenti i veçantë për këto lëndë”,- u shpreh avokati, Bujar Dardhishta.
 
Kryetari i ShGM-së, ndërkohë, nuk është kundër paralajmërimeve për heqjen e taksës radio-difuzive. Sipas Naser Selmanit, reformat në servisin publik duhet të përfshijnë edhe rritjen e buxhetit,  pasi RTVM është servisi publik me buxhetin më të ulët në rajon.
 
“Ajo që ne insistojmë është se nëse Radio Televizioni i Maqedonisë deri më tani ka pasur 10-12, apo 15 milion euro në vit, që është bindshëm më pak se çdo tv shtetëror në rajon, mos të krahasohemi me Europën, atëherë ne kërkojmë që kjo shumë të trefishohet nëse vërtet duam të kemi një servis publik të pavarur dhe profesional që do të jetë në shërbim të qytetarëve”,- tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
 
100-ditëshi i parë i funksionimit të qeverisë së re do të dëshmojë nëse ajo ka zbatuar reformat e paralajmëruara, sidomos në drejtësi, si bazament kryesor për shtet demokratik, kështu konkluduan pjesëmarrësit në debat.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI