Maqedoni
Rastet e montuara, Zaev: do të sigurojmë hetime të pavarura; Përkrahja për Kosovën në UNESKO, Zaev: Maqedonia neutrale ndaj fqinjëve; Votat e shqiptarëve në zgjedhje, Zaev: ishin për mirëqenie, investime dhe reforma
07.06.2017 16:26
Kryeministri, Zoran Zaev, në një intervistë për TVM1, sërish ka premtuar se do të mbështesë zbardhjen e së vërtetës...

Kryeministri, Zoran Zaev, në një intervistë për TVM1, sërish ka premtuar se do të mbështesë zbardhjen e së vërtetës për rastet “Monstra”, “Sopoti”, “Kumanova”, vdekjen e gazetarit Nikolla Mlladenovit, vdekjen e Martin Neshkovskit dhe të gjitha rastet për të cilat qytetarët dyshojnë në montimin e tyre.
Për të arritur këtë qëllim ai tha se hetimet do të mbështeten nga ekspertë ndërkombëtarë.
“Kemi obligim që të sigurojmë hetime të pavarura, sepse nëse duam që të jemi vend normal, nuk mund të ekzistojë e pavërteta, përkatësisht e vërteta e fshehur për diçka që është e rëndësishme për qytetarët. Pra, këto raste patjetër duhet të mbyllen me gjykime, në të cilat qytetarët do të besojnë jo vetëm pse duan, por sepse dëshmitë do ta vërtetojnë këtë”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
I pyetur nga gazetarët lidhur me qëndrimin e tij për anëtarësimin e Kosovës në UNESKO, Zaevi tha se angazhohet për politikë neutrale ndaj të gjithë fqinjëve, përfshirë edhe raportin me Kosovën dhe Serbinë.
“Maqedonia në raste të tilla duhet të jetë neutrale. Unë kam kritikuar qeverinë tonë sepse ka anuar në këtë proces. Unë besoj se Kosova dhe Serbia miqësore do të na kuptojnë, sepse edhe ashtu nuk varet nga Maqedonia. Ne duhet që të kultivojmë me të gjithë, pra me të gjithë pesë fqinjët dhe jo me të gjithë minus një. Me të gjithë pese fqinjët duhet të gjenerojmë politika të mira fqinjësore”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Zaevi gjithashtu premtoi se do të angazhohet që investimet në infrastrukturë të jenë në mënyrë të barabartë në këtë drejtim edhe në pjesët e banuara me shqiptarë.
“Do të përpiqemi që avancimi i infrastrukturës të zhvillohet në mënyrë të barabartë ndaj të gjithë fqinjëve, duke përfshirë edhe autostradat drejt Kosovës dhe Shqipërisë, dhe gjithsesi edhe ndaj tre fqinjëve tjerë. Qytetarët që votuan Zoran Zaevin votuan për shkolla më të mira, shëndetësi, infrastrukturë, paga më të larta, ardhmëri të sigurt, shtet juridik dhe reforma që duhet të ndodhin”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Ai foli edhe për anëtarësimin në NATO, duke u përqendruar në çështjen e emrit. Ai tha se do të bëjë çmos për ta avancuar këtë proces me qëllim që vendi të hapërojë drejt integrimit euroatlantik.
Lidhur me reformat në gjyqësor dhe emërimin e kryeprokurorit, Zaevi tha se do të angazhohet që në këtë detyrë të emërohet një ekspert i dëshmuar.
NAIM RAMADANI
